Teksa pak ditë na ndajnë nga primaret brenda Partisë Demokratike kryesia ka miratuar të tjerë emra për të hyrë në garë. Primaret mbahen më 1 mars dhe listës së parë të miratuar nga kryesia me rreth 290 emra i janë shtuar dhe rreth 20 te tjerë. Një prej tyre është ish-prokurori i shkarkuar nga vettingu Arjan Ndoji. Ky i fundit synon të kandidojë në qarkun e Durrësit.
Kush është Arjan Ndoj
Arjan Ndoji është një ish-prokuror drejtues i akuzës në Durrës, i cili u shkarkua nga procesi i Vetingut për kontakte të papërshtatshme me krimin dhe mungesë aftësish profesionale. Por Ndoji në vitin 2019 i shpëtoi një atenati me armë zjarri, ku vetë mbeti i plagosur kurse shoferi u vra ndërkohë që udhëtonte sëbashku me një nga eksponentët e krimit, “Rumin e Shijakut”.
Arjan Ndoj, bashkë me Landi Muharremin (Aleksandër Laho), dhe Andi Maloku ishin duke drekuar në zonën e plazhit në Durrës në 1 nëntor 2019. Të tre, u nisën drejt Tiranës pas drekës dhe në zonën e mbikalimit të Shkozetit, u qëlluan nga një makinë Benz, në ecje, ku dyshohet se ka qenë brenda Redjan Rraja. Për pasojë u plagosën të tre, por në gjendje më të rëndë ishte Andi Maloku, i cili u bë mbrojtja e prokurorit Arjan Ndoji në atentat. Për shkak të plagëve të shumta, ai ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë.