Kryeministri Edi Rama ka ftuar shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të rikthehen në atdhe dhe të investojnë në Shqipëri. Në podkastin “Flasim”, Rama u shpreh se sot Shqipëria është një realitet krejt tjetër, gati për të pritur emigrantët që duan të kontribuojnë me përvojën e tyre.
Rama theksoi se kthimi i emigrantëve sjell me vete dije dhe përvojë të fituar jashtë vendit, duke e cilësuar këtë si një “armë” për sukses:
“Çdo kthim është një dije ekstra, për shkak të eksperiencës së mbledhur në një realitet tjetër. Shqipëria sot nuk është më e vështirë se Greqia e dikurshme për ata që dikur punuan atje, edhe mes paragjykimeve. Sot, 35% e prodhimit në Kretë është në duart e shqiptarëve. Nëse këta njerëz punojnë tokën këtu, marrin tokë me qira apo bashkëpunojnë me të tjerët, me siguri do të kenë sukses”, – u shpreh Rama.
Kryeministri foli edhe për të ardhmen e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke nënvizuar se kthimi dhe investimi në atdhe është një hap me vlerë afatgjatë:
“Shqipëria është në avancim. Së shpejti do të hapim kapitujt e tjerë të negociatave me BE dhe synojmë të anëtarësohemi brenda kësaj dekade. Të investosh sot në Shqipëri është një investim i mirë për të ardhmen”, – tha Rama.
Në fund, kryeministri dha një mesazh inkurajues për emigrantët:
“Kush nuk provon, nuk fiton. Shqipëria është sot e gatshme për të pritur shumë më tepër emigrantë mbrapsht. Ju keni një përvojë që është një armë e fortë për suksesin tuaj këtu”.