Të dielën në orën 20:45 në Torino luhet Juventus – Inter, ‘Derbi i Italisë’ që vlen për raundin e 25-të në Serie A. Përballja mes tyre është e 240 në histori në të gjitha kompeticionet, ndërsa në epërsi të dukshme janë bardhezinjtë.
Në 239 ndeshjet e zhvilluara, “Zonja e Vjetër” ka fituar 109, kundrejt 70 të zikaltërve dhe 60 përballje janë mbyllur në barazim. 350 gola ka shënuar Juventusi në portën e Interit, duke pësuar 292.
Në prag të ndeshjes për mediet folën dy trajnerët, Thiago Motta dhe Simone Inzaghi.
Motta tha se të tijtë do dalin në fushë për të treguar cilësitë në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.
“Ne kërkojmë fitoren për gjithçka. Kjo është puna jonë dhe ne duam të arrijmë fitoren. Por ne duhet ta meritojmë atë dhe të vëmë të gjitha forcat për të konkurruar kundër një kundërshtari të madh. Nesër është një ndeshje shumë e rëndësishme, ndoshta më e rëndësishmja në kampionatin tonë. Duhet të jemi një ekip për të gjithë ndeshjen. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme ku të gjithë ndjejmë presion. Duhet të përqendrohemi 200%. Kemi një grup të mirë që gjithmonë dëshiron të përmirësohet”, tha mes të tjerash Motta.
Juventusi ka 13 barazime këtë sezon në Serie A dhe me 43 pikë ndodhet në vendin e pestë.
Nga ana tjetër Simone Inzaghi kërkon një Inter brilant, me Thuram që për momentin është pjesë e grupit, por ende ndjen dhimbje në kyçin e këmbës dhe duket se për të do vendoset në çastet e fundit për të qenë ose jo në fushë.
“Ne e dimë se çfarë përfaqëson Juve – Inter për tifozët dhe klubin. Një ndeshje e rëndësishme në një moment delikat të kampionatit, e dimë që duhet të bëjmë një ndeshje të shkëlqyer ndaj një ekipi cilësor që është forcuar në merkaton e dimrit.
Juventusi po arrin tre fitore radhazi dhe drejtohet nga një trajner që e respektoj shumë. Kishim kohë për të punuar mirë, shpresoj të gjejmë një Inter brilant në fushë.
Thuram? Për momentin është më shumë jo se po, ai ende ndjen dhimbje në kyçin e këmbës, por ne do ta vlerësojmë deri në çastet e fundit”, tha Inzaghi.
Interi me 54 pikë ndodhet në vendin e dytë dhe kërkon t’i bëjë presion kryesuesve të Napolit.
Për t’u theksuar se ndeshja e fazës së parë në Milano përfundoi 4-4 mes tyre dhe ishte një spektakël i vërtetë.