Serie A e futbollit në Itali nisi të premten me raundin e 24-t. Në stadiumin “Giuseppe Sinigaglia” vendasit e Comos u mposhtën 1-2 nga Juventusi. “Zonja e Vjetër” vuajti në udhëtim, teksa iu fal dopietës së Kolo Muanit pët tri pikët e rëndësishme.
Ndeshja nisi në ekuilibër, me dy skuadrat që më shumë u kujdesën mos pësonin. Duhej minuta e 34-t, kur një pasim i bukur nga Gonzales të shfrytëzohej nga Kolo Muani për të shënuar një gol të bukur për miqtë. Kur u duk se bardhezinjtë do e mbyllnin në epërsi pjesën e parë, vendasit e Fabregas barazuan me golin e Diao.
Fraksioni i dytë i ndeshjes pa shumë lëvizje për dy trajnerët. Duhej minuta e fundit që Juventusi të fitonte një penallti për faull në zonë në dëm të Gattit, aty ku Kolo Muani u tregua i saktë dhe me vetëm disa javë si pjesë e ekipit e dërgon në pesë numrin e golave të shënuar (tre ndeshje), duke u kthyer në idhullin e ri të tifozëve.
Me 43 pikë Juventusi rigjen për momentin vendin e katërt dhe pret ndeshjet e rivalëve. Nga ana tjetër Como mbetet në pozitën e 15-të me 22 pikë.