Kryeministri Rama do të zhvillojë një vizitë dyditore në Madrid, Spanjë, me rastin e pjesëmarrjes në ceremoninë e Çmimit Universal Spanjoll “Espanol Universal Award”, një çmim prestigjioz ndërkombëtar, që u jepet personave që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në promovimin dhe përmirësimin e kulturës, gjuhës dhe trashëgimisë spanjolle në mbarë botën.
Sot, në nisje të agjendës, Kryeministri Edi Rama do të pritet nga Mbreti Felipe VI, në Pallatin Mbretëror Zarzuela në Madrid e më pas Mbreti Felipe VI do të presë në audiencë Kryeministrin Rama. Në kuadër të kësaj vizite do të nënshkruhet në një ceremoni të posaçme, marrëveshja “Kongresi Botëror i Ligjit 2027” që do mbahet në Tiranë.
Ky Kongres, që mbahet pas 2 vitesh në Tiranë, mbledh së bashku juristë, gjyqtarë, avokatë e akademikë nga mbarë bota. Për Kryeministrin Rama, ky është sinjal që komuniteti ndërkombëtar kërkon të njohë demokracinë dhe drejtësinë tonë.
Por gjatë udhëtimit për në Spanjë, Kryeministri Rama njoftoi se Shqipëria do të jetë vendi organizator i Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, “një mundësi e shkëlqyer për të promovuar përparimet e vendit në drejtim të forcimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit”, – tha ai në një postim në rrjete sociale.
Rama theksoi se procesi i përzgjedhjes ka qenë shumë konkurrues dhe ka përfshirë kandidatë të fuqishëm nga kontinente të ndryshme. Kryeministri lexoi dhe letrën e dërguar nga presidenti i Shoqatës Botërore të Juristëve, Javier Cremades, ku u theksua se Shqipëria ka arritur të fitojë besimin e komunitetit ndërkombëtar për të organizuar këtë ngjarje prestigjioze në Tiranë, e cila do të njohë përparimet e saj në krijimin e institucioneve të drejta dhe funksionimin e ligjit si garanci për dinjitetin njerëzor dhe zhvillimin e qytetarëve.
“Procesi i përzgjedhjes ka qenë i ngushtë dhe konkurrues. Shqipëria ka marrë pjesë me kandidatë të fortë dhe historikisht demokratik nga kontinente të ndryshme’. Kështu shkruhet në letrën e Presidentit të Shoqatës Botërore të Juristëve, profesor i të drejtës kushtetuese dhe avokat me prestigj të madh. ‘Duke zgjedhur Shqipërinë si vendin pritës të Kongresit Botëror të Ligjit 2027, komuniteti ndërkombëtar i ligjit dëshiron të njohë demokracinë e saj të re dhe institucionet e themeluara mbi sundimin e ligjit si garanci për dinjitetin njerëzor dhe zhvillimin për qytetarët e saj’, vazhdon ai. ‘Kongresi do të jetë një mundësi e shkëlqyer për vendin tuaj për t’i paraqitur botës përparimet e mëdha drejt një demokracie të fortë dhe respektin ndaj sundimit të ligjit’.
E pra, për pak ne nisemi për në Madrid për njoftimin publik të përzgjedhjes së kandidaturës së Shqipërisë për të mirëpritur Kongresin Botëror të Ligjit. Gjatë këtyre kongreseve çdo dy vjet prezantohet një çmim, çmimi i paqes dhe lirisë botërore që konsiderohet nga shumë si çmimi Nobel në ligj. Pra, Shqipëria 2027 do të jetë vendi i Samitit të NATO-s, i Europianit të Futbollit për të rinjtë dhe tani edhe i Kongresit Botëror të Ligjit. Ç’të them? Kush i imagjinonte këto dhe të tjera plot akoma deri disa vite më parë le të ngrejë dorën. Kongresi Botëror i Ligjit është ndër të tjera edhe një trofe i Shqipërisë në formën e konsideratës së lartë që ka krijuar vendi ynë falë reformës në drejtësi”, – tha Rama.