Nga Mero Baze
Nëse dëgjon gjithë retorikën e Sali Berishës ndaj drejtësisë dhe përballjet e tij me të, tani në Shqipëri të krijohet ideja se kryeprokurori i Shqipërisë është Sali Berisha, kurse Altin Dumani është një nga të pandehurit. Kjo ka nisur qyshkurse është arrestuar një vit e ca më parë Sali Berisha dhe vazhdon në mënyrë konstante.
Falë këtij presioni, ai e ka çarë disa herë digën e drejtësisë së re, duke krijuar një perceptim mbarëpopullor se ai i ka kompleksuar prokurorët e SPAK-ut. Shumë njerëz të tij brenda drejtësisë së re, siç është gjyqtari Bano, natyrisht që bëjnë shërbimet e tyre, pasi janë persona me afërsi politike me Berishën. Megjithatë, kjo nuk do të mjaftonte nëse Berisha nuk do ta çonte deri në fund presionin ndaj drejtësisë.
Pas fitores së Trumpit në SHBA, kur u shtuan zërat se politika e re amerikane do të jetë kundër SPAK dhe u spekulua me prerjen e ndihmave nga USAID, Berisha arriti ta paraqesë arrestimin e Veliajt si një nënshtrim të SPAK ndaj tij, për ta kompensuar politikisht, duke qenë se ai ka pasur akuzuar Sorosin si arkitektin e ndëshkimit të tij.
Nga banaliteti i dosjes dhe masat ekstreme të sigurisë – të cilat, në fakt, janë meritë e gjyqtarit kamikaz të Sali Berishës, dhe nga momenti i zgjedhur për marrjen e masës – kuptohet qartë se arrestimi i së hënës ishte një skenar “revanshi” ndaj “aleatëve” të Sorosit.
Meqë në Tiranë Berisha po prezantonte një lobist 20-milionësh, për ta përdorur si viagra elektorale në zgjedhje, dhe meqë ai foli se “këtu Sorosi ka bërë gjëma me drejtësinë”, një orë më pas koka e Veliajt u ofrua pikërisht për të ilustruar idenë se tani ata që janë me Sorosin do të shkojnë në burg.
Kjo situatë është qesharake, banale dhe e turpshme, por në thelb është jo vetëm e vërtetë, por edhe e vetmja mënyrë se si Berisha manipulon turmat.
Dhe këtë e pranoi vetë Berisha dhe njerëzit e tij. Ai tha që arrestimi i Veliajt është vepër e opozitës dhe protestave popullore dhe se SPAK nuk ka asnjë meritë. Kellici shkoi edhe më tej, duke thënë se kjo ishte rezultat i ndryshimeve në Shtëpinë e Bardhë dhe platformës së luftës kundër Sorosit.
Sipas kësaj logjike, SPAK thjesht është nënshtruar para protestave të Belindit para Bashkisë dhe denoncimeve të përditshme ndaj Sorosit si arkitekt i drejtësisë në Shqipëri.
Pra, Sali Berisha po përpiqet të perceptohet jo vetëm si gjyqtari i drejtësisë, por edhe si kryeprokurori i vendit, duke diktuar se kush duhet të arrestohet me dorën e SPAK, pa ia ditur për nder.
Kjo është mënyra se si Berisha manipulon gjithkënd në politikë. Ai kërkon që ti bëjnë atë që do ai, pa ua kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Kështu vepron edhe me banditët – nëse ata duan të kenë një shans të flasin me Berishën, apo t’i japin dorën atij, duhet të bëjnë diçka për të: Të vrasin dikë, ose po tue jenë tropojanë, të rrahin dikë, dhe të krijojnë frikë dhe terror në emër të tij.
E njëjta strategji po zbatohet edhe me SPAK. Berisha po e poshtëron atë, duke e detyruar të bëjë ato që do ai, dhe më pas nuk i njeh asnjë meritë, por thotë se SPAK veproi vetëm nga presioni i mbështetësve të tij.
Në fakt, ai po sillet si një prokuror i vërtetë, duke caktuar se kush duhet arrestuar e kush jo, dhe Altin Dumanin e mban gjithmonë në listën e “kriminelëve” që duhen ndëshkuar, sepse nuk po e bën detyrën si do ai. Pra, ai e sheh Dumanin si një të pandehur të tij.
Lobisti amerikan, i sjellë si “viagra” për Berishën, është rekrutuar nga Fatmir Mediu dhe Shkëlzen Berisha, dy persona nën hetim dhe akuzë.
Vonesa për të dhënë drejtësi për 26 të vrarët në Gërdec, edhe nga Dumani, tani është kthyer në një çek të bardhë për një lobist, i cili, duke shpikur broçkulla 20-milionëshe, tenton të fusë nën presion drejtësinë dhe shoqërinë shqiptare për llogari të vrasësve të lirë – të atyre që kanë vrarë për të vjedhur.
Dhe sado të përpiqet Altin Dumani të bëjë sikur e kompenson, sikur e balancon situatën, sikur fut në burg “një andej e një këtej”, një kundër Soros, një pro, ai nuk ka për t’i shpëtuar Berishës.
Sepse Berisha e do ose ushtar të tij, ose armik të tij.
Si çdo gjë tjetër në këtë vend.
Kjo është tragjedia e degradimit të drejtësisë së re në Shqipëri nga Sali Berisha.
Një sistem që duhej të ishte i pavarur, tani është bërë një arenë ku Berisha dikton kush arrestohet dhe kush jo, ndërsa prokurorët dhe gjyqtarët ndodhen nën trysninë e një njeriu që vetë duhet të ishte në burg.
Dhe në këtë betejë, Shqipëria rrezikon të kthehet jo në një shtet ligjor, por në një shtet ku Sali Berisha është prokurori i vërtetë, dhe të gjithë të tjerët janë të pandehurit e tij.