Nesër Gjermania voton për Bundestagun e ri në një klimë politike të tensionuar, ku rritja e ekstremit të djathtë ka ngritur shqetësime serioze mbi të ardhmen e demokracisë gjermane. Në një intervistë për Report TV, politikania e Partisë Socialdemokrate (SPD), Erida Zarka, ka analizuar sfidat kryesore të vendit, duke theksuar ndikimin e rritjes së partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila po shfrytëzon pakënaqësitë e qytetarëve për të thithur sa më shumë elektorat.

Zarka tha se AfD ka marrë një tendencë në rritje, duke përdorur fushata të ashpra kundër emigracionit të paligjshëm.

“Janë kryesisht tema, emigracioni i paligjshëm, ekonomia gjermane që ka qenë në recesion, por edhe mosmarrëveshjet e partnerëve në koalicion që kanë qeverisur katër vitet e fundit Gjermaninë. Kjo ka shtyrë në pakënaqësi dhe ka rritur edhe pakënaqësinë e shtresës së ekstremit të djathtë. Kemi një rritje të ekstremit të djathtë, AfD ka tendencë të lartë kohët e fundit dhe ka influencuar jashtëzakonisht në mediat sociale duke bërë fushatë kundër emigracionit të paligjshëm dhe azilit, por edhe kundër emigrantëve në përgjithësi.

Mes krizash e sfidash, gjermanët zgjedhin nesër qeverinë e re! Sondazhet parazgjedhore nxjerrin Merz në krye me 30% të votave
LEXO EDHE:
Mes krizash e sfidash, gjermanët zgjedhin nesër qeverinë e re! Sondazhet parazgjedhore nxjerrin Merz në krye me 30% të votave

Kjo na prek të gjithëve se në këtë formë po luhet edhe me zhvlerësimin e rolit të emigracionit dhe emigrantëve që kanë shumë vite këtu, por edhe të atyre që janë bërë gjermanë. Njëtrajtësimi i emigrantëve të paligjshëm dhe atyre që kanë vite këtu ose kanë lindur këtu, nuk është e drejtë dhe kjo është një pakënaqësi që na prek të gjithëve”, shprehet Zarka.

Për më tepër, ajo theksoi se një shqetësim i madh është edhe përhapja e stereotipeve ndaj emigrantëve, “Partitë e tjera janë fokusuara që shtresa të tilla, emigrantët në vështirësi, duke u ofruar alternative që të integrohen, mos të lihen në harresë të bëhen pjesë e shoqërisë gjermane. Kohët e fundit edhe mundësitë e tyre kanë qenë më të pakta, jo të mjaftueshme, azilantët kanë ardhur në masa tepër të mëdha dhe kjo e ka vënë shtetin në vështirësi që shteti të ketë mundësi t’i integrojë të gjithë në një kohë të shkurtër të gjithë.

Një pjesë e tyre që kanë pasur dhe probleme psikike, kanë kryer dhe veprime të papranueshme, atentate dhe vrasje. Por, përbërjen raste sporadike dhe nuk përfaqësojnë emigrantët në përgjithësi, kjo duhet theksuar. AfD e ka përdorur si moton kryesore të fushatës së vet me qëllim që të thithë sa më shumë elektorat”, vijon Zarka.

Ajo bën një analizë edhe të politikave të partive të tjera, ku thekson se kancelari aktual Olaf Scholz ka pothuajse të njëjtin kurs, forcim të ekonomisë gjeramne, rritjes së buxhetit për mbrojtjen, si edhe takimin e atyre që fitojnë më shumë.

“Kursi i Scholz është i njëjtë, forcimi i ekonomisë gjermane, shtresat sociale, të taksohen milionerët, miliarderët ata të paguajnë më shumë taksa, familjet në nevojë të ndihmohen. Por pika kryesore, duke pasur parasysh që Gjermania ka pasur tendencën edhe nga lufta në Ukrainë që ne duhet të krijojmë një vetëmbrojtje. Financimi i ushtrisë gjermane në 16 vite e fundit a qenë 1%. Scholz pretendon ta rrisë buxhetin që të kemi një ushtri sa më moderne dhe të përgatitur edhe për raste që asnjëri nga nuk i do, por lufta në Ukrainë është një rast që mund të na lërë të mendojmë që duhet ti paraprijmë një skenari që mund të eskalojë”, tha zarka.

Friedrich Merz i partisë kryesore konservatore Merz është favorit për ta zëvendësuar Scholzin si kancelar. Zara analizon pikat kryesore të fushatës së tij, duke thënë se ka promovuar një qasje më konservatore, duke kërkuar distancim nga disa politikat e Bashkimit Europian dhe një fokus të madh në kufizimin e emigracionit.

“Mertz është konservator, kërkon një distancim nga vendet europiane. E sheh si një Europë më të fortë, por Europa nuk duhet të përzihet në çështja të tjera. Bashkëpunimi i tij me Trump shihet në pikëpyetje. Një nga pikat kryesore të Mertz është se kërkon të vendosë kufij për Gjermaninë, të kufi emigracionin e pakontrolluar. Pozicioni i tij në tema të ndryshme si barazia gjinore, punësimit, shihet tepër kritik. Duke qenë se ka një tendencë konservative nuk përfshin të gjithë shoqërinë. Pra e ka tendencën të të tolerojë shtresat e larta, milionerët, jo të ketë një pikëpamje gjithëpërfshirëse për shoqërinë, që gjithkush të ndihet i vlerësuar”, vijoi Zarka.