Programi “Ekipet Sportive në Shkolla”, një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), ka nisur fazën e parë të ndeshjeve në edicionin e tij të tretë. Aktiviteti i hapjes u zhvillua në ambientet sportive të shkollës 9-vjeçare “Emin Duraku”, një nga institucionet arsimore më moderne në kryeqytet.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha se në këtë edicion marrin pjesë mbi 12 mijë nxënës të shkollave tona:
”Falë mbështetjes së qeverisë shqiptare të programit “Ekipet sportive në shkolla” edhe këtë vit kemi edicionin e 3-të të Kampionatit të ekipeve sportive me pjesëmarrjen e më shumë se 12 mijë fëmijëve dhe besoj se 2025-2026 do të na gjejë edhe me disiplina të reja. Jam e bindur se nga këta filiza këtu do të kemi kampionë në volejboll, basketboll por edhe në disiplina të tjera.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu.
Në këtë edicion, faza përgatitore ka nisur në të gjitha shkollat pjesëmarrëse, ku ekipet kanë zhvilluar stërvitjet e tyre dhe sot u shpërndanë edhe uniformat e reja për pjesëmarrësit. Mbështetja nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, KOKSH, trajnerët, koordinatorët, arbitrat dhe vullnetarët do të vazhdojë për të siguruar mbarëvajtjen e këtij edicioni dhe përfshirjen e sa më shumë të rinjve.
Në kuadër të këtij programi, u shpërndanë uniformat për ekipet e reja në shkolla që bëhen pjesë e këtij kampionati.