Nga Kujtim Xhaja/
Një fundjavë ne shtëpizat magjike të Gjinarit
Sot do t’iu tregoj destinacionin tim të radhës, bëhet fjalë për një fshat turistik malor, jo shumë larg nga Elbasani: Gjinari.
Besoj e keni dëgjuar, mbase dhe e keni vizituar nga afër këtë perlë natyrore, e cila gjëndet në lartësinë rreth 1000 m mbi nivelin e detit dhe pikën më të lartë e arrin në malin e Bukanikut, i cili është 1831 m mbi nivelin e detit.
Nisemi nga Tirana me një kohë të vrenjtur Shkurti, rruga që të con atje është mëse komode, do pershkrojmë fshatrat e kryeqytetit njëri pas tjetrit, derisa arrijmë në qytetin e Elbasanit. Normalisht, i biem nga Cërriku, të cilin e dallon direkt me ato rrugët e ngushta, dyqanet e veshmbathjeve, të cilët për të qënë realistë nuk janë të shtrenjtë, madje kanë cime disa herë më të lira se metropoli ynë i shtrenjtë. Është mesi i Shkurtit dhe vlen të theksohet se amvisat dhe gratë elbasanase kanë përgatitur ballokumet e famshme të ditës së Verës dhe sic është zakon dhe traditë në këtë qytet, ato dalin me tezgat e tyre modeste buzë rrugës, gati për ti treguar me padurim turistëve të huaj, që nuk janë të paktë në numër specialitetin e tyre. Edhe unë nuk i shpëtova dot tundimit që kam për këto ëmbëlsira dhe ndalova tek tezga e parë që mu shfaq dhe bëra blerjen time të parë. Rrugës pyesim një punonjës karburanti se sa minuta na duhej për të arritur në destinacion dhe ai na shpjegon: “Vetëm 50 minuta”. Jemi 5 persona gjithësej që e kemi ndërmarrë këtë udhëtim, me qëllimin e vetëm të strehoemi në një nga bujtinat aq të famshme të Gjinarit. Bëhemi gati të përshkojmë rrugët gjarpëruese që do na cojnë tek ai fshat. Terreni sapo vjen dhe bëhet edhe më i vështirë, pasi po marrim tatëpjetën e malit të Bukanikut, i cili duket tej në horizont. Vlen për tu përmendur edhe një atraksion tjetër tërheqës, i cili nuk kishte sesi të na shpëtonte nga vëmendja: “Pisha e Fushkuqes”, një nga monumentet e natyrës në këtë zonë, që është shpallur si i tillë në vitin 2002.
Vazhdojmë dhe përpara nesh na shfaqen sipërfaqet kodrinoro-malore me pyjet halorë. Gati-gati këto kthesa të forta po më ngjajnë me rrugët e vjetra të Krrabës. Në disa segmente malorë gjejmë edhe rrugë të pashtruara, por janë mëse të menaxhueshme me një makinë normale. Moti me mjegull të dendur na e bën pak më të vështirë udhëtimin…
Mbërrijmë…
Në shpat të malit të Bukanikut shtrihet një bujtinë e stilit alpin zvicerian me dy kate. Kjo ishte shtëpiza, e cila do na bënte të gjithë bashkë, me gjithë interiorin e veshur me dru dhe me një pamje fantastike të gjithë relievit të kodrave dhe maleve. Nje magji për tu shijuar! Aty na mirëpret e zonja e shtëpisë, një vajzë e re, capkëne dhe gati-gati në dukje moskokëcarëse, e cila na fton me gjithë thjeshtësinë dhe natyralitetin që ta falë vetë zona. Na tregon me mirësjellje bujtinën, ku do kalojmë një natë. Na rrëfen ndër të tjera se ky vend ështe shumë i vizituar nga turistët e huaj, të cilët gjejnë një copë Zvicër në Shqipëri. Ky biznes është krijuar dhe vazhdon të shërbehet vetëm nga vajza dhe gra, të cilat pasi na kanë treguar disa marifete dhe rregulla të shtëpisë, na dorëzojnë celësat dhe ikin menjëherë, duke na bërë tashmë “të zotët legjitim të shtëpisë” vetëm për atë ditë. Ambjenti i brendshëm është komod me shumë dhoma të ngrohta dhe me jacuzzi. Maksimumi i njerëzve që mund të strehoen në këtë bujtinë tipike është tetë. Ushqimin mund ta porosisësh nga restorantet, të cilët gjenden aty afër dhe shërbimi është shumë i shpejtë. Mund ta themi me gojëhapur se kjo bujtinë, si cdo bujtinë tjetër në atë zonë është një bujtinë e standardeve europiane. Një pasdite e kaluar në mal, me ushqim të mirë, me një pamje të jashtëzakonshme, nën shoqërinë e miqve të zemrës, i mbështjellë në ngrohtësinë e zjarrit, të cilin duhet ta përgatisësh vetë me drutë e stivës dhe mbrëmja, e cila të rezervon një “kredhje” të lumtur nën ngrohtësinë e jacuzz-it. Dhe cfarë dëshiron më shumë nga jeta?! 🙂
Mëngjesi është një përvojë tjetër interesante, kur të serviret nga duart e ngrohta të grave të bujtinës. Cdo përbërës është bio: duke filluar nga gjalpi, djathi, qumështi i zonës, mjalti i pishës dhe petullat aq të shijshme, të gatuara me aq orgjinalitet.
Këto janë përshtypjet, ndjesitë e mira që më fali kjo zonë, kjo bujtinë, këto gra aq të përkushtuara, të cilat më treguan edhe njëherë se dedikimi dhe dëshira e tyre e paepur kishte bërë të mundur realizimin e këtij atraksioni me të vërtetë magjik, duke e kthyer kështu Gjinarin, fshatin e rrethit te Elbasanit, në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit malor në Shqipëri.