Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar sërish nga burgu. Ai ka zbërthyer një tjetër akuzë të prokurorisë.

Nga Erion Veliaj

“Me gjasë, dikush kishte shpifur kundër Jozef K. sepse një mëngjes atë e arrestuan, megjithëse s’kishte bërë gjë”.

Kështu nis “Procesi” i Franc Kafkës, libri kult i absurdit, të cilin mua më ra ta lexoj e ta admiroj aq shumë, sa që fati ma dhuroi, përmes një kllouni si Nesti Violina, që edhe ta jetoj, prapa hekurave! Këtu kemi edhe televizor dhe kështu më bie të shoh edhe sesi “Procesi” im vazhdon të shkruhet në gjirizët mediatikë, nga një grup karnavalesh të bërë bashkë, fut e bjer, duke iu referuar dosjes shumëfaqëshe të idiotësive të Ols Angonit.

Si çdo ditë, ku i privuar nga liria pa gjyq dhe nga mundësia për t’u ballafaquar me karnavalet nëpër gjiriza apo me Kafkën tim (ndjesë të ndjerit Franz, po Olsi është si kafkë e mbështjellë me shollë), po vazhdoj t’ju argëtoj me “dyshimet e arsyeshme” të akt-akuzës absurde.

Konsulenca e një sipërmarrësi të nderuar si Shkëlqim Fusha, me dy avokate që ushtrojnë lirinë e profesionit pa lejen e Nesti Dados, për një projekt në jug, rezulton në akt-akuzën ndaj meje si korrupsion në Tiranë!