Sali Berisha po përpiqet të shmangë një proces gjyqësor me gazetën “New York Times”, pasi e akuzoi atë se ka marrë 150 mijë dollarë nga Edi Rama për një shkrim të gazetarit Kenneth Vogel, rreth angazhimit të strategjistit Chris LaCivita në fushatën elektorale të Sali Berishës, një të sanksionuari nga SHBA për korrupsion madhor dhe minimin e demokracisë.

Në atë që e quajti “kërkim ndjese” sot, Berisha tha se ai mendoi se ishte një shkrim i sponsorizuar nga ato që bëhen legalisht të sponsorizuara në gazetat perëndimore, dhe tha se e tërheq akuzën.

E vërteta është se gazetat serioze në mbarë botën e kanë ndarë reklamën nga shkrimet profesionale. Raportimi gazetaresk për një individ të korruptuar nuk mund të jetë kurrë i sponsorizuar, sepse pastaj ajo nuk quhet gazetë, por quhet Syri.net.

Shkrimet e sponsorizuara në gazeta bëhen kryesisht për të promovuar turizmin apo për të reklamuar diçka nga një vend, dhe shkruhet qartë se ky shkrim është i sponsorizuar. Nuk ka raportime gazetareske të sponsorizuara, pasi nëse do të ndodhte kjo, atëherë nuk është më shtyp i lirë, por shtyp i blerë.

E vërteta është se Berisha, duke qenë se paguan vetë për të pasur media propagandistike, siç është media e familjes së tij, mendon se në mbarë botën mjafton të kesh para dhe mund të shkruash çfarë të duash.

Përgjigjia e gazetarit të “New York Times” në rrjetin X është se Berisha po gënjen, dhe se gazeta nuk ka marrë para për publikimin e atij shkrimi, e ka futur Berishën në spiralen e panikut, sepse gazeta mund të ngrejë një padi për dëmtim reputacioni.

Ndaj sot Berisha vrapoi t’i kërkojë ndjesë, duke e bërë edhe më keq punën, dhe duke krijuar përshtypjen se në gazetën “New York Times” është legale të paguash për nje shkrim ku flitet per korrupsion dhe minim të demokracisë.

Kjo është një akuzë edhe më e rëndë se e para.

“New York Times” dhe çdo gazetë tjetër profesionale në Perëndim, me hapësirë të pagueshme, kanë vetëm hapësirën e shkrimeve reklamuese, për shkak se ato shkruhen qartë si reklamë. Pjesa tjetër është gazetari. Dhe aty ke të bësh me reputacionin e gazetarit dhe emrin e gazetës, që kushtojnë shumë herë më tepër se faqet e marketingut.

Nuk di si do të dalë ky LaCivita, duke shpëtuar reputacionin e tij deri në fund të fushatës nga ky klient që ka marrë përsipër, por kështu siç e ka nisur, mirë që nuk deklaron dot nëse do të marrë para nga Berisha, por do t’i duhet edhe të paguajë për të.