Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda dhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, dakordësi për masa për zbulimin dhe hetimin e shpejtë të krimeve zgjedhore.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda takoi në Prokurorinë e Përgjithshme,
Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela.

Objekt i takimit ishte bashkëpunimi dhe koordinimi mes Policisë së Shtetit dhe prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, në kuadër të hetimit të krimeve zgjedhore.

Nga drejtuesit e të dy institucioneve, u ra dakord për një sërë masash administrative që synojnë zbulimin dhe hetimin e shpejtë dhe efikas të krimeve zgjedhore, përmes një angazhimi tërësor të strukturave përkatëse, që do i përgjigjet nevojave specifike që lidhen me periudhën zgjedhore.

Hetimi i krimeve zgjedhore do të konsiderohet si prioritet institucional dhe do të jetë objekt i punës së strukturave të posaçme hetimore që do të krijohen me prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore, të cilat do të mbështeten gjithashtu me burimet e nevojshme njerëzore dhe teknike nga Policia e Shtetit për përdorimin e metodave speciale të hetimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e siguroi Prokurorin e Përgjithshëm për angazhimin e strukturave të Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi, duke ruajtur e konsoliduar më tej vlerësimin ndërkombëtar të fituar nga proceset zgjedhore të mëparshme për qëndrimin e baraslarguar të Policisë së Shtetit nga palët në procesin zgjedhor.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe Prokurori i Përgjithshëm, përveç shprehjes së angazhimit të plotë insititucional, inkurajojnë të gjithë qytetarët dhe çdo subjekt tjetër, që të denoncojnë në kohë krimet zgjedhore dhe të bashkëpunojnë me organet ligjzbatuese për hetimin e plotë të tyre.