Qindra mijëra njerëz në të gjithë Gjermaninë kanë protestuar këtë fundjavë në rrugën e shumë qyteteve kundër votimit të përbashkët të CDU/CSU dhe AfD në Bundestag. Sipas policisë, rreth 160,000 njerëz u mblodhën vetëm në Berlin të dielën pasdite për të demonstruar për ruajtjen e barrikadave ndaj AfD. Organizatorët thonë se numri i pjesëmarrësve ka qenë madje deri në 250,000 demonstrues. Shumë pjesëmarrës kishin në duar pankarta kundër CDU dhe kundër kandidatit të tyre për kancelar, Friedrich Merz.
Marshi në Berlin
Marshimi demonstrues u zhvillua nga rrugët e afërta me Bundestagun e deri tek selia e partisëCDU. Atje, demonstruesit ndezën dritat e celularëve dhe brohoritën kundër kandidatit të Unionit për kancelar, Friedrich Merz. Demonstruesit kërkuan distancë të qartë ndaj AfD dhe brohorisnin Merz duhet të turpërohet. Për shkak të numrit të madh të protestuesve, shumë rrugë u bllokuan në Berlin.
Gazetari Michel Friedman, i cili pak ditë më parë është larguar nga CDU në shenjë proteste, e përshkroi AfD-në si një “parti të urrejtjes”. Friedman e quajti votën e CDU/CSU me AfD si “gabim të pafalshëm”. Por ai mbrojti CDU-në me fjalët se “CDU është parti demokratike”.
Protesta të mëdha kundër AfD, të ekstremistëve të djathtë dhe kundër votimit të përbashkët të CDU/CSU me këtë parti, ka pasur demonstrata të shtunën dhe të dielën pothuajse në të gjithë Gjermaninë. / DW/