Nga Ben Andoni
Në një shoqëri të mëtuar demokratike, siç është ajo jona, çdo moment dhe administrim zgjedhor tregon stadin e saj real. Nuk mjaftojnë fjalët e politikanëve (në rastin tonë të Ramës dhe Berishës), por funksionimi i procesit të zgjedhjeve, pranimi dhe humbja e palëve, që të tregohet realisht se si do të jetë Shqipëria e Majit të vitit 2025. Qysh në momentin, që po flasim: polarizimi shoqëror në Shqipëri ka kapur nivele të larta. Mungesa e debatit publik mes partive kryesore në vend, ashpërsia e retorikës së formacioneve të reja politike (në emër të ndryshimit), pluralizmi i varfër politik dhe papërgjegjshmëria para situatës se ku ndodhet vendi është shqetësues.
Edhe pse fushata zgjedhore nuk ka nisur zyrtarisht, në terren ajo është drejt kurbës rritëse të saj. PD-ja ka angazhuar të gjithë njerëzit e saj në këtë moment, që ta mobilizojnë diasporën për të votuar. Hapi i dytë do të jetë për t’ua kanalizuar votën në qëllimin e tyre të fitores. PS-ja është më e tërhequr në këtë hap për diasporën, sepse e ka nisur, por po merret me ristrukturimin e partisë dhe mbi të gjitha për të zëruar çdo gjë dhe alternativë të kundërshtarëve të saj. Mungesa e Mea culpës është pothuaj një ligj mes tyre, që “prishet” vetëm nga Rama, kur e përdor edhe atë në gjuhën e tij për të përcjellë avantazhin e PS-së!
Kjo gjuhë që vjen nga sipër politikës, amplifikohet në parlament (mbase legjislatura më e dobët në pas vitet ’90), ku taborët politike thjesht po reflektojnë gjuhën e mllefit të krerëve.
Ndërkohë polarizimi shoqëror, që ka sjellë kjo ndarje, ka bërë që debatet politike të mungojnë dhe të zhvillohen me asimetri përfaqësimi, ku mungon fillimisht pariteti i prezencës. Kundërshtarët kryesorë nuk i gjen kurrë përballë. Media e shton dhe lehtësisht mund të shikosh e kuptosh anësitë dhe interesat. Në këto kushte është gati hipotetike, që të krijohet një harmoni dhe integritet shoqëror dhe reforma, që të mbështeten nga të gjithë për interes të vendit. Ndarja është njësoj si në kohën e socializmit: “Ne” (“shumica” që përcillte e diktuar dhe qorrazi politikat e PPSH) dhe “Ata” (armiqtë, që i shtypte Diktatura e Proletariatit), por paradoksi dhe zhgënjimi është se dy partitë kryesore, që e mbajnë domenin politik dhe e ushqejnë polarizimin shoqëror, duket se u volit kjo lloj gjendje. Gjuha e politikanëve e ushqen në mënyrën më të shëmtuar me denigrimin e kundërshtarit dhe është e kufizuar në shpalosjen e ideve politike. Dhe, kur has pak ide ato nuk debatohen por kalohet në ofendime të frikshme dhe denigrime.
Është hipotetike të besosh se duke përfituar nga gabimet e njëri-tjetrit, PS dhe PD do të ndërtonin një debat publik për Modelin e Ekonomik dhe të ardhmen e arsimit, që do të ushqente vendin në një nga pikat e saj më të dobëta?! Apo të punohej më shumë dhe në mënyrë të përbashkët për administratorët publikë, ata që do të merren me shtetin, që nuk është vetëm i PS dhe i PD-së?
Ne, si shoqëri, jemi të ndarë jo pse duam, por se kështu i takon këtij stadi të zhvillimit, që kemi arritur dhe ka mbetur deri këtu, ku një grusht njerëzish në politikë na manipulon thjesht për të marrë dhe të gëzojë të gjithë arritjet tona. Për fat të keq, kjo quhet utopi në Shqipëri, ndërsa ndarja shoqërore, që përcjell gjithë vendin, po i shtyn shqiptarët ta gjejnë veten…jashtë tij. (Javanews)