Tre muaj para zgjedhjeve, prokurori i SPAK, Ols Dado dhe gjyqtari i GJKKO, Erion Bani, vendosën të arrestojnë mbi bazën e dyshimit kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ky akt u cilësua si ndërhyrje në politikë, por edhe në procesin zgjedhor të 11 Majit, duke qenë se Veliaj, veç kryebashkiak i kryeqytetit me 1 milion banorë dhe i zgjedhur për 3 mandate radhazi, është edhe Drejtues Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, ku jeton edhe pjesa më e madhe e votuesve shqiptarë.
Por, shumëkush do të habitet nga fakti që me sa duket vërteton një lojë me dy standarde të prokurorit Dado dhe gjyqtarit Bani në këtë rast. Për këtë duhet të sjellim në kujtesë hetimin për kryetarin e PD-së Sali Berisha. Kur gjykata ndryshoi masën e Berishës nga “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitje”, GJKKO ka shkruajtur e zeza mbi të bardhë arsyetimin e mëposhtëm:

“… si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që jemi në periudhën para fushatës zgjedhore dhe kërkuesi është konsideruar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese si lideri i opozitës, ose kryetar i partisë kryesore opozitare, u arrit në përfundimin që masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” nuk ishte më e nevojshme.”

Tani bien në sy dy gjëra:

E para, GJKKO pranon se mbajtja e Berishës në “arrest shtëpie”, edhe pse me një masë shumë më të lehtë se Veliaj, mund të kishte ndikim në zgjedhje;

E dyta, ky vendim u mor në nëntor 2024. Pra, gjykata mendon se mbajtja e Berishës në “arrest shtëpie” pesë muaj para zgjedhjeve do të kishte ndikim, ndërsa arrestimi i Veliajt, Drejtuesit Politik i PS për Qarkun e Tiranës, tre muaj para zgjedhjeve dhe mbajtja e tij në burg nuk ka asnjë ndikim në rezultatet zgjedhore.

– A është ky një qëndrim me dy standarde i prokurorit Dado dhe gjyqtarit Bani?
– A kanë ndërhyrë qëllimisht ata në fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste, duke arrestuar drejtuesin e Qarkut më të madh në Shqipëri?
– A i kanë bërë kujt një favor me arrestimin e Veliajt 3 muaj para zgjedhjeve?
– A është njoftuar PD nga gjyqtari Bani sapo ai firmosi vendimin për arrest me burg për Veliajn dhe a do të ketë një hëtim për nxjerrjen e sekretit hetimor?