Tri shtetet e Baltikut u shkëputën të shtunën (8 shkurt) nga rrjeti i energjisë elektrike të Rusisë dhe iu bashkuan rrjetit të Bashkimit Evropian.

Estonia, Letonia dhe Lituania – dikur republika sovjetike dhe tani anëtare të BE-së dhe NATO-s – duan që të bllokojnë aftësinë e Rusisë për shantazh gjeopolitik përmes sistemit të energjisë elektrike.

“Ne kemi hequr çdo mundësi teorike të Rusisë për të përdorur kontrollin e rrjetit energjetik si armë”, tha ministri lituanez i Energjisë, Zygimantas Vaiciunas, për AFP-në.

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas – ish-kryeministre e Estonisë – të premten e cilësoi shkëputjen e shteteve të Baltikut nga rrjeti rus si “fitore për lirinë dhe unitetin evropian”.

“Ne e kemi pritur këtë moment për një kohë të gjatë. Sistemi energjetik i shteteve të Baltikut më në fund është në duart tona. Ne tani e kemi nën kontroll”, tha Vaiciunas.

“Ne nuk do ta përdorim më kurrë. Ne po ecim përpara,” i tha Reuters në Vilaka Ministri i Energjisë i Letonisë Kaspars Melnis.

Ministria e Energjisë e Lituanisë i tha Reuters se ka hartuar plane emergjence ku disa përdorues të energjisë së rëndë, si fabrikat, mund të shkëputen përkohësisht nga rrjeti në rast të mungesës së energjisë, për të ruajtur furnizimet thelbësore.

Baltiku për një kohë të gjatë është përgatitur për t’u integruar në rrjetin evropian, por ishte përballur me probleme teknologjike dhe financiare.

Shkëputja nga rrjeti energjetik rus u bë më urgjente pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, gjë që nxiti frikë në mesin e shteteve të Baltikut se ata mund të ishin shënjestra e radhës.

Pas nisjes së pushtimit, ata ndaluan së bleri gaz dhe energji ruse, por rrjetet energjetike të tri shteteve vazhduan të ishin të lidhura me Rusinë dhe Bjellorusinë, e të kontrolluara nga Moska.