Euronews Albania dhe kompania e mirënjohur greke, MRB, publikuan sondazhin e parë ku shfaqej prirja e votës së shqiptarëve për zgjedhjet e 11 Majit. Rezultati i jepte një fitore të qartë Partisë Socialiste dhe Edi Ramës duke ruajtur shifrat e vitit 2021 dhe madje me hapësirë për ta përmirësuar atë. Ky sondazh është provuar në 3 palë zgjedhje të njëpasnjëshme në vitet 2021, 2022 dhe 2023, duke e gjetur rezultatin e zgjedhjeve në mënyrë të saktë

Pavarësisht se socialistët janë në garë për mandatin e tyre të katërt dhe në shifrat e sondazhit janë pothuajse të sigurtë drejt kësaj rruge, ajo që të bën përshtypje është se qeveria sot mund t’i gëzohet një situate më të mirë të perceptimit të përgjithshëm të ekonomisë, edhe se 4 vite më parë kur konkurronte për mandatin e tretë. Madje, njerëzit sot njerëzit shpresojnë dhe besojnë më shumë tek qeveria për t’i dhënë zgjidhje problematikave që haset vendi.

Sa i përket mendimit të tyre për gjendjen e ekonomisë së vendit, 32.1% e shqiptarëve thonë se është e mirë. Ndërkohë në të njëjtën periudhë 4 vite më parë përpara zgjedhjeve, kjo shifër ishte vetëm 13.2%. E njëjta situatë paraqitet edhe për ekonominë familjare. Teksa 4 në 10 shqiptarë mendojnë se gjendja e ekonomisë familjare sot është e mirë, kjo shifër është gati sa dy-fishi i atyre që mendonin kështu në vitin 2021. Atëherë shumica e shqiptarëve mendonin se ekonomia familjare ishte në gjendje të keqe në masën 39% dhe vetëm 24% thonin se ishte mirë.

Kjo sjellje e të sonduarve shihet edhe në pritshmëritë e tyre për 12 muajt e ardhshëm, kur rreth 80% e tyre mendojnë se ekonomia e tyre familjare dhe e vendit do të jetë njësoj ose më mirë. Në vitin 2021, kjo shifër ishte rreth 70%.
Kur Edi Rama kërkonte mandatin e tretë, gjysma e shqiptarëve mendonte se vendi po shkonte në drejtimin e gabuar, ndërkohë sot, në sondazhin e Euronews Albania dhe MRB, vetëm 43% e mendojnë këtë dhe për më tepër, ata që mendojnë se vendi po shkon në rrugën e duhur janë më shumë, rreth 45%

Ajo që është më demotivuese për opozitën, tregohet tek problematikat që vetë qytetarët kanë identifikuar dhe se cilat forca politike ata mendojnë se mund t’i zgjidhin ato problematika. Në të gjitha problemet e identifikuara, shqiptarët mendojnë se Partia Socialiste ka më shumë shanse t’i zgjidhë ato probleme, duke nisur që nga ekonomia, apo dhe korrupsioni dhe emigrimi.

Sondazhi tregon edhe trendin se niveli i rëndësisë së problematikave ka rënë. Ato ekzistojnë por për qytetarët rëndësia e tyre është më e ulët.

Ajo që vihet re nga ky sondazh, është se prirja e votës së qytetarëve nuk është rastësore, por një rezultat i besueshmërisë që ata kanë krijuar për forcat politike dhe qartazi duket se ata besojnë të Partia Socialiste më shumë se të opozita apo shumësisë së tyre dhe se vota e tyre është rezultante e mënyrës se si ata mendojnë t’i zgjidhin problemet dhe kush është më i aftë për t’ua zgjidhur ato.