E ftuar në një intervistë ajo tregoi se në të njëzetat, plani për tu bërë mama nuk ishte në kokën e saj pasi mendonte vetëm për karrierën, mirëpo kur arriti në të 30-at dëshira për të pasur një fëmijë u bë më e nevojshme se kurrë.
“Të tridhjeta kanë qenë fiks momenti kur unë mendova për tu bërë nënë, ndoshta ishte një periudhë e cila më largoi atë ëndrrën që do të bëhesh një artiste në skenë. Unë kërkoja që të bëhesha këngëtare International. Pas të tridhjetave lindi ajo dëshira, po sikur unë te kem një fëmijë. Kur shikon që je në atë limitin, aty pastaj më hipi një dëshirë e madhe. Dëshira e madhe ishte e të dyve por pas dy vitesh pritje, nuk po realizohej. Mjekët më thonin të prisja por s’doja të humbja më kohë,” u shpreh Ledina.
Ndër të tjera ajo tregoi edhe një incident të vogël i cili i kishte ndodhur në fëmijërinë e saj i cili e përndiqte me idenë se s’do mund të bëhej nënë.
“Kur isha e vogël në moshën 6-vjeçare unë kam pasur një aksident të vogël. Isha një fëmijë si arapçi, hipa në dollap, u rrëzova dhe bëra një operacion në pjesën e stomakut. Dola me sukses, por si ishte puna, ai meraku gjithmonë, edhe babin e kam kapur nja dy momente kur isha e vogël, shpresoj që vajzës mos t’i ndodhë gjë për të pasur një familje. Këto janë gjëra që vetëm një fëmijë mistrec siç isha unë, që fusja hundët të dëgjoj, më ka kapur dhe nuk e harroja më kurrë, më ka ngelur në memorie. Kur pata këtë gjë këto dy vite pritje, në trurin tim u fiksua shumë kjo gjë. Më dilnin halucinacione, thoja unë s’do të bëhem kurrë nënë, s’do ta kem kurrë fatin.”
Ledina rrëfeu se vendimin që fëmija i tyre të vinte në jetë me metodën e Fekondimit in Vitro (ndryshe i njohur si Fertilizimi In Vitro ose shkurt IVF) e mori bashkëshorti i saj Naimi, teksa shprehet:
“Ishte Naimi ai që e mori vendimin për t’iu drejtuar metodës së fertilizimit artificial (IVF). Ai kishte marrë çdo informacion që duhej dhe iu drejtuan një klinike. Për të bërë fëmijë nuk ka shumë kohë.”
“Procesi nuk ishte i lehtë dhe s’ndodhi që në herën e parë. Fatmirësisht nuk u desh të ishte “e treta, e vërteta” sepse lajmi i bukur erdhi shpejt,” tha ndër të tjera Ledina për “Mam”.
Megjithatë këngëtarja theksoi se shtatzënia ka qenë fantastike dhe se e ka shijuar ne maksimum.
“Ka qenë një shtatzëni fantastike, e mrekullueshme me djalin. Kam shijuar çdo moment dhe sigurisht që unë bëja prapë vizita te mjeku im i shtëpisë, ndiqja ato rregullat si duhet të ushqehesha se s’kisha eksperiencë, unë s’kisha asnjeri aty afër, as të komunikoja me nënën por nëna fatkeqësisht u largua nga jeta kur isha tre muajshe me djalin, unë nga një gëzim i madh, u bëra e fortë, e mbledh njeriu veten, ” u shpreh Çelo./panoramaplus