Moti me diell dhe temperaturat deri në 20 gradë Celsius të këtyre ditëve të dimrit, i ka kthyer vlonjatët e apasionuar pas notit më herët pranë detit.
Mes të apasionuarve, është edhe një 68-vjeçar nga Fieri, që e frekuenton plazhin në këto ditë dimri, bashkë me gruan.
Ai shprehet për ‘TCH’ se edhe pse uji është i ftohtë, të notosh në këto temperatura i fal më shumë shëndet të mirë.
“Neve na pëlqen, na është bërë si adrenalinë kjo punë, sa herë është koha e mirë, këtu na ke. Nuk na kap as gripi, asgjë“, thotë ai.
Çdo ditë buzë detit gjejmë edhe vlonjatin Gëzim Brahimaj.
“Uji është shumë i mirë, pak i ftohtë. Kemi 12-13 vite që lahemi në dimër“, tregon ai.
Temperaturat e larta të këtij fillim shkurti janë ideale edhe për një shëtitje përgjatë bregdetit.