Vendi ynë që në orët e para të mëngjesit do të jetë nën ndikimin e vranësirave të shumta, të cilat pritet të jenë dominante përgjatë gjithë 24 orëshit. Gjithashtu kemi rritje të ndjeshme të lagështirës në ajër e cila herë pas here do të krijojë mundësi për reshje shiu në Ultësirën Perëndimore, ku në zona të izoluara do të ketë edhe rrebeshe të përkohshme. Ndërsa në zonat malore në Verilindje dhe Juglindje të Shqipërisë do të ketë reshje të pakta dëbore.

Temperaturat e ajrit do të mbeten të pandryshuara në orët e mëngjesit, por do të rriten lehtë në mesditë duke u luhatur nga -3°C vlera më e ulët deri në 15°C vlera më e lartë në rang vendi. Era do të fryjë e mesatare deri e fortë në det duke arritur shpejtësinë mbi 50 km/h nga drejtimi Jugor – Juglindor, për pasojë në brigjet detare do të krijohen dallgë 4 ballë.