Në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, që po mbahen sot, Prokuroria e Shtetit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar integritetin e procesit zgjedhor.
Prokuroria e Shtetit bëri të ditur se, ditën e zgjedhjeve, janë ndaluar 8 persona për vepra penale kundër të drejtave të votimit.
“Gjatë ditës së sotme, Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit të tyre deri në mbyllje të procesit të votimit, janë hapur katër raste kundër tetë personave, kurse informatat tjera janë duke u trajtuar”, thuhet në njoftimin për mediat. Prokurorja Laura Pula ka deklaruar se në të gjitha komunat e Kosovës janë angazhuar deri në 100 prokurorë për të monitoruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe për të garantuar mbrojtjen e votës.
“Në tërë Republikën e Kosovës janë deri në 100 prokurorë në 38 komuna. Është e vërtetë se nga ora 7 e mëngjesit jemi gardianë të ruajtjes së votës së sovranit. Po mundohemi të jemi aty në momentet kritike dhe të iniciojmë çdo rast që ka të bëjë me shkelje eventuale kundër të drejtës së votimit”, tha Pula.
Sipas saj, Kodi Penal i Republikës së Kosovës përfshin 11 vepra penale që lidhen me cenimin e së drejtës së votës, dhe çdo shkelje do të trajtohet me seriozitet nga organet e drejtësisë.