Financimi i partive politike dhe fushatave zgjedhore është një nga temat më të rëndësishme dhe njëkohësisht më pak të rregulluara nga ligjet shqiptare. Sasia e parave që shpenzohen nga partitë politike në fushata bëhet publike vetëm një vit pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke ulur rëndësinë dhe efektin e zbulimeve, që mund të dalin nga ky auditim.
Errësira në të cilën zhvillohet aktiviteti ekonomik i partive politike, nuk i lejon qytetarët të kuptojnë dhe të vlerësojnë partitë politike bazuar mbi burimet nga financohen dhe sasinë e parave të shpenzuara në fushata. Shto këtu edhe një sistem gjobvënës jo funksional dhe aktiviteti financiar i partive politike, veçanërisht në zgjedhje, kthehet në një çorbë, që nuk gëlltitet.
Pavarësisht, ose mbase pikërisht, për shkak të paaftësisë së institucioneve për të monitoruar dhe hetuar financimet e partive politike, për këtë temë spekulimet janë të shumta.
Në këtë “betejë” janë futur edhe partitë e reja që kandidojnë në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.
Në një përballje televizive mes kryetarit të Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj dhe atij të Nismës “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, akuza të shumta u hodhën mes të dyve për burimin e financimit të partive në fjalë.
Shehaj akuzoi Lapajn se ky i fundit ka përfituar para nga aktiviteti i tij si avokat nga një kompani, administratori i të cilës më pas është hetuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Në anën tjetër, Lapaj akuzoi Shehajn se ky i fundit ka shkelur ligjin duke financuar partinë e tij me paratë e veta.
Ky fenomen për studiuesin Afrim Krasniqi sjell edhe njëherë në vëmendje problemin ligjor që Shqipëria ka për të vendosur standard për transparencën e financave të partive politike.
Sistemi aktual bazohet në mirëbesim dhe në deklarimin post-factum dmth aktorët politik deklarojnë dy muaj pas zgjedhjeve shpenzimet e tyre elektorale dhe pastaj KQZ-ja verifikon vetëm deklarimet e tyre dhe përputhshmërine e tyre me faktet e marra përmes sistemit tonë bankar. I gjithë sistemi i donacioneve informale nga antarësia, nga grupe lobuese, apo nga oligarkët apo forma të tjera ose dhurime ne natyre psh nuk deklarohet dhe është i paverifikueshëm nga KQZ-ja – Afrim Krasniqi, studiues, ISP.
Shehaj deklaroi se në llogarinë bankare të partisë së tij politike në Shkurt 2025 kishin mbetur 130 mijë euro, para të tijat personale që ai kishte hedhur në këtë llogari.
Lapaj tha se kjo ndalohet nga ligji, pasi në të kundërt çdo biznesmen mund të krijonte një parti personale.
“E dini ju që ta ndalon ligji këtë gjë? Pra ti po thua duhet një model politik ku biznesmenët hapin parti biznesi? Nuk e lë ligji. 10 milionë lekë është penalitet. Ligji të lejon deri në 10 milionë lekë. Ëshë ligji për partitë politike” – Adriatik Lapaj, kryetar i partisë “Shqipëria Bëhet”.
Për Agron Shehajn këto janë gënjeshtra.
Çfarë thotë ligji dhe ekspertët
Në fakt ligji për partitë politike nuk përcakton një kufizim të fondeve, që mund t’i dhurohen një partie politike, për sa kohë ato deklarohen në formatet dhe llogaritë e përcaktuara.
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi shpjegon se Kodi Zgjedhor me ndryshimet që ka pësuar, ka përcaktuar edhe parashikime specifike ligjore në lidhje me burimet e financimit të fushates, por nuk ka parashikime të posaçme për periudhat jashtë kësaj fushate.
I vetmi kufizim ligjor për sasinë e parave që mund të derdhen për një parti politike është ai i Kodit Zgjedhor që përcakton se “shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor, përfshirë kandidatët e tij, nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë, ose kundërvlera në sende apo shërbime”
Por ky kufizim vlen vetëm për periudhën 4 muaj përpara zgjedhjeve, që në rastin konkret matet prej datës 11 janar 2025.
Nëse kjo ndodh, atëherë Kodi Zgjedhor përcakton se partia që ka kryer shkeljen “ndëshkohet me gjobë deri në 30 për qind të shumës së dhuruar”.
Por nëse paratë hidhen në llogarinë bankare të partisë politike dhe shpenzohen përpara afatit 4 mujor të fushatës elektorale, për shembull për krijimin e degëve të partisë, atëherë kjo nuk ndalohet nga ligji.
Në anën tjetër, nga 11 janari që përkon me periudhën 4 muaj përpara zgjedhjeve, partia “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt ka deklaruar në faqen e saj 784.8 Euro donacione.
Për donacionet me vlerë mbi 100,000 lekë, të cilave nuk i është publikuar data e dhurimit, “Shqipëria Bëhet” raporton 1,932,700 lekë donacion dhe 1,246,234.86 lekë dhurim në natyrë për takimet me diasporën.
Ajo që kuadri ligjor parashikon por as partitë e reja nuk e plotësojnë, është transparenca në çdo kohë e financave të partisë.
Gjithashtu kuadri ligjor parashikon një nivel të lartë të transparencës, dmth detyrimin që subjekti zgjedhor “…të bëjë publike dhe të sigurojë akses të plotë e të pandërprerë të të tretëve në bazën e të dhënave, ku subjekti zgjedhor regjistron dhurimet, huat ose kreditë e përfituara nga ai dhe kandidatët e tij, për të gjitha vlerat e barabarta dhe më të larta se 50 mijë lekë” (Neni 92/1, pika 6)” – shpjegon Zef Preçi.
Pavarësisht parashikimeve dhe kufizimeve ligjore, Zef Preçi vlerëson se ato janë thjesht formale.
Pavarësisht këtyre rregullave të shkruara në fuqi të ofruara me asistencën më të mirë perendimore, zbatimi i tyre është tejet formal. Pompimi i parave me origjine fondet publike, fondet private (biznesi) dhe fondet që vijnë nga aktivitetet kriminale brenda dhe jashtë vendit është një fenomen evident që po shfaqet edhe në periudhen zgjedhore që kemi hyrë – Zef Preçi.
Auditimi i këtyre financave bëhet nga KQZ-ja dhe përfundon rreth 1 vit pas zgjedhjeve dhe ky auditim, përveçse i vonuar, është edhe i pamjaftueshëm sipas Afrim Krasniqit.
Sistemi aktual bazohet në mirëbesim dhe në deklarimin post-factum dmth aktorët politik deklarojnë dy muaj pas zgjedhjeve shpenzimet e tyre elektorale dhe pastaj KQZ-ja verifikon vetëm deklarimet e tyre dhe përputhshmërine e tyre me faktet e marra përmes sistemit tonë bankar. I gjithë sistemi i donacioneve informale nga antarësia, nga grupe lobuese, apo nga oligarkët apo forma të tjera ose dhurime ne natyre psh nuk deklarohet dhe është i paverifikueshëm nga KQZ-ja – shpjegon ai.
Modele të tjera të kontrollit të financave
Afrim Krasniqi sugjeron se Shqipëria duhet të kishte mësuar nga modelet rajonale, përfshi edhe Kosovën, ku deklarimi bëhet përpara datës së zgjedhjeve dhe ku qytetari në ditën e votimit i gjykon aktorët politik edhe sa transparentë kanë qenë në financimin e tyre dhe sa i kanë respektuar ato kufizime që përcaktohen nga Kodi Zgjedhor.
Se paku do duhej që aktorët kryesorë politik të merrnin modelet si ajo e Melonit në Itali ku partia politike deklaron çdo ditë aktivitetet e veta dhe kostot për to. Dhe së paku duhet ta bëjmë këtë në Shqipëri për aktivitete publike ose të lejonim mediat të marrë pjesë në këto aktivitete ose të lejonim monitoruesit e shoqërisë civile për të monitoruar këtë proces, gje që nuk ka ndodhur deri tani – argumenton Krasniqi
Sa i përket gjobitjes në rast të shkeljeve të rregullave ekzistuese për financimin e partive dhe fushatave elektorale, Afrim Krasniqi dhe Zef Preçi shpjegojnë se nuk ka efekt.
Nëse ne i marrim zgjedhjet e fundit lokale një sërë kryebashkiakësh apo kandidatë të tjerë u dënuan nga KQZ financiarisht për shkak të deklarimeve të parregullta, por nuk patën impakt në politikë. Kjo do të thotë se ata janë të gatshëm të paguajnë gjobën për sa kohë kanë marrë mandatin dhe sigurojnë përfitime shumë më të mëdha për shkak të angazhimit politik, – shpjegon Krasniqi.
Mendoj se sistemi ligjor i gjobitjes për shkeljen e rregullave të financimit të partive politike nuk është aspak efektiv. Kjo sepse ndëshkimet janë në shuma modeste dmth në disproporcion me dëmin që shkaktojnë këto shkelje, si dhe nuk janë aspak të lidhura me mundësinë që për këtë shkak të devijojet vullneti i zgjedhësve, dmth këto dënime nuk përfshijnë mundësinë e humbjes së mandatit nga partia/kandidati fitues në mënyrë të parregullt dhe duke përdorur financimet e paligjshme – përmbyll Zef Preçi.
Nisur nga këto të dhëna, deklaratën e kreut të partisë “Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj do e konsiderojmë pjesërisht të vërtetë./FAKTOJE