Sot është dita e parë e muajit të Ramazanit. Për 30 ditë rresht, besimtarët e fesë islame do të agjërojnë muajin e Ramazanit. Çdo besimtar shpreson në këtë muaj në mëshirën dhe faljen e krijuesit. Sot koha e syfyrit për vendin tonë përkoi në orën 04:39, ndërsa iftari në orën 17:37. Dita e fundit e Ramazanit është më 29 mars, ndërsa Fitër Bajrami festohet më 30 mars.
Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit hënor Islam, zgjat nga 29 ose 30 ditë dhe ku gjatë kësaj periudhe kohe besimtarit mysliman në nderim të krijuesit i duhet të argjërojë nga agimi deri në perëndimin e diellit, duke shmangur ushqimin, lëngjet dhe çdo sjellje negative të njeriut. Përveç pastrimit të shpirtit, agjërimi mbahet për t’u solidarizuar me të varfrit, për të ndarë ushqimin dhe të mirat materiale me ta.
Pse myslimanët agjërojnë?
Fillimi i muajit të agjërimit përcaktohet në bazë të lëvizjes së hënës, e cila, për të gjithë myslimanët në çdo cep të botës, përcjell një drejtësi apo një harmonizim për ta kryer sa më të plotë këtë muaj të begatë. Ajo që e bën këtë muaj të jetë i dalluar është agjërimi, të cilin e kryejnë njëkohësisht të gjithë besimtarët kudo që janë. Në thelb të agjërimit qëndron fakti se ai është urdhër i Zotit dhe një prej pesë kushteve themelore të Islamit, por bashkë me këtë, ai ngërthen brenda vetes një numër të madh urtësish dhe dobish për anën shpirtërore, fizike, psikologjike, sociale për individin dhe shoqërinë.
Ramazani është muaji ku besimtarët myslimanë ndërpresin ushqimin, pijen e jo vetëm, duke filluar që nga nisja e agimit deri në perëndim të diellit (nga syfyri deri në iftar); është një muaj i vlerave të larta njerëzore, morale e sociale, muaji i solidaritetit dhe bashkëpunimit, muaj që i dedikohet më shumë adhurimit dhe këndimit të Kuranit; muaji i sadakasë dhe i punëve të mira, muaji i mëshirës, virtytit dhe dhembshurisë.
Agjërimi është si një shkollë që sjell një efekt pozitiv të dukshëm në qëndrimin e shoqërisë. Gjatë periudhës njëmujore të kësaj disipline shembullore, ndjenjat e njerëzve që kanë pasuri zgjohen për të kontribuar në përmirësimin e gjendjes së gjithanshme të anëtarëve të shoqërisë, ndonëse nuk janë në të njëjtin nivel force, pozite e kamjeje.