Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Prishtinë këtë të diel (2 mars), ku vëllai i reperit shqiptar Viktor Palokaj, i njohur me emrin e artit si “Unikatili”, është gjetur i pajetë.
Sipas asaj që media kosovare raporton paraprakisht, ngjarja ka ndodhur në lagjen ‘Arbëria’ në Prishtinë, ku në banesën e tij u gjet i pajetë Mentor Palokaj.
Lidhur me këtë ngjarje reagoi edhe Policia e Kosovës, e cila bëri me dije se rreth orës 18:00 u njoftuan se në një banesë në Prishtinë një person kishte humbur jetën. Rrethanat dhe shkaqet mbeten ende të panjohura.
“Sot rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në një banesë në lagjen Arbëria në Prishtinë. Viktimë në këtë rast është një mashkull (1983), vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Hetuesit policor në koordinim me prokurorin po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes”, tha më herët zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Vlora Ahmeti për mediat.
Sakaq, policia është duke punuar për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, ndërkohë deri më tani nuk dihet ende shkaku i vdekjes. Në orët në vijim priten më tepër detaje.