Nga Mero Baze/

Lajmin e parë të gëzuar na e dha Fatmir Mediu. Ai postoi një selfie me LaCivitën, i cili paguhet për marketingun e fushatës elektorale të Berishës, duke lajmëruar gjithë popullin shqiptar se ai po rikthehet. Vizitën e parë e kishte bërë pak më shumë se një muaj më parë, për një ditë. Kjo është e dyta dhe pritet të jetë më e rëndësishme.

Ai ka në kontratë tre klientë të rëndësishëm: Sali Berishën, në gjykim për vepra penale, korrupsion madhor dhe kapje shteti; Ilir Metën, ende i lirë, por nën akuzë për korrupsion; dhe Fatmir Mediun, nën akuzë për korrupsion, me proces gjyqësor në zhvillim.

Nuk dihet nëse për këta tre të pandehur do të ishte më mirë të merrnin një avokat të mirë amerikan, se sa një specialist marketingu elektoral. Por ata shpresojnë që, meqë ai ka bërë fushatën e Trumpit, do t’i nxjerrë edhe ata fitues — dhe pastaj, me drejtësinë merren vetë.

Lajmi i dytë i gëzuar është që dy specialistët e OPDAT-it, programit të ndihmës juridike të SHBA, do të rikthehen në punën e tyre si këshilltarë në SPAK. Siç po thuhet, SHBA hoqi bllokimin e vendosur nga urdhri ekzekutiv i Trump për ndërprerjen e ndihmës së jashtme amerikane.

Në fakt, ndihma financiare e SHBA për SPAK konsiston kryesisht në rrogën e dy ekspertëve dhe ndonjë pagesë biletash për vizita në SHBA. Nuk është aq jetike për ekzistencën e SPAK, por identifikimi i SPAK me SHBA ka qenë vendimtar për autoritetin e tij.

Tani kemi një konkurrencë të re: nga njëra anë SPAK-u, që vazhdon të identifikohet me SHBA-në zyrtare; nga ana tjetër LaCivita, që ka klient viktimat e SPAK-ut dhe po ashtu identifikohet me Trumpin.

Kjo është një betejë e vërtetë në Shqipëri dhe shumë domethënëse. Është beteja e atyre që flasin në emër të SHBA-së… dhe në emër të Trumpit.

LaCivita nuk vlen për fushatë elektorale, sepse, po të jetë e vërtetë ajo që tha Flamuri — që u ka rekomanduar koalicionin me Gjuzin dhe Jenisherin — atëherë më mirë të rrijë larg fushatës.

Por ai vlen për të trembur SPAK-un, siç po e përdorin Mediu e Berisha, si “i dërguar i Trumpit” në krah të tyre.

Kështu, Mediu poston foto me LaCivitën dhe nuk paraqitet në gjyq në Tiranë. Ndërkohë që Veliaj është futur në burg dhe nuk e lejojnë të takohet as me zyrtarët e Bashkisë që ende drejton. Berisha, po ashtu, u thotë demokratëve se shpëtimi do të vijë nga magjia e LaCivitës, i cili do t’i çojë në pushtet — dhe pastaj ata do ta shkrijnë SPAK-un.

Tani rikthimi i dy ekspertëve të OPDAT-it në SPAK është shenjë se shteti amerikan do të vazhdojë mbështetjen për SPAK, dhe ky i fundit, siç edhe duket, mund të vazhdojë të flasë në emër të SHBA-së kur vepron.

Ndërsa rikthimi i LaCivitës është punë ditësh, sa të kalojë seanca gjyqësore e Mediut. Dhe ai vjen në emër të Trumpit, për të shpëtuar tre viktimat e SPAK-ut nga burgu, duke u dhënë “fitoren” opozitarëve.

Domethënë, me logjikën e tyre: nëse marrin pushtetin, e shkrijnë SPAK-un dhe bëjnë si të duan me të. Dhe për këtë, paskëshin edhe “mbështetje amerikane”.

Por po qe se SHBA është për shkrirjen e SPAK-ut, ekspertët e OPDAT-it i ka kthyer vetë në SPAK — dhe do ta bënte lehtësisht, pa pritur Berishën të kthehet në pushtet. Nuk besoj se Rama do të kundërshtonte, nëse e bënin ata.

Pra, nga njëra anë kemi ekspertët zyrtarë të SHBA-së që vazhdojnë mbështetjen për SPAK-un, dhe nga ana tjetër një punonjës marketingu elektoral që vjen në emër të Trumpit, kundër ekspertëve të shtetit amerikan.

Ky i dyti është me afat skadence deri më 12 maj.

Pastaj ose SPAK bëhet viktimë e të dërguarit të Trumpit (siç pretendon Berisha po fitoi), ose klientët e LaCivitës — Berisha, Meta, Mediu — bëhen viktima të SPAK-ut (po humbi strategjia e LaCivitës), i cili, sipas tyre, është po ashtu i mbështetur nga qeveria e Trumpit.

Sido që të ndodhë, të paktën ikin pa merak, se kanë Trumpin në SHBA!