Për herë të parë, qeveria shqiptare ka nisur një program mbështetjeje financiare për 50 mësues të gjuhës shqipe në Athinë. I pranishëm në lancimin e këtij programi ishte vetë kryeministri Edi Rama, i cili tha se synohet ruajtja dhe trashëgimia e gjuhës shqipe.

“Me mësuesit shqiptarë në Greqi, ku nisim për herë të parë një program mbështetje financiare për 50 mësues, që do të zgjerohet më pas edhe në shtete të tjera, për ata që me misionin patriotik për të ruajtur e trashëguar gjuhën shqipe, mes sakrificave e ndjenjës së përkatësisë, i mësojnë gjuhën tonë të bukur fëmijëve shqiptarë, duke i mbajtur të lidhur fort me rrënjët e tyre, e për t’iu dhënë një mundësi më shumë për t’u kthyer e për të jetuar aty ku e kanë zemrën, në Shqipëri”, shkruan Rama.

Një program i premtuar me vizitën e parë të Ramës në Athinë gjatë turit të diasporës, që tashmë kryeministri tha se u kthye në realitet dhe do të punohet për shtrirjen e tij edhe në shtete të tjera.

“Më vjen mirë që e materializuam nisëm e marrë kur erdhëm herën e kaluar. Falënderoj në mënyrë të posaçme ambasadoren që i kushtoi një vëmendje të veçantë kësaj nisme dhe na e lehtësoi punën në mënyrë shumë të ndjeshme dhe dua të falënderoj zonjat mësuese për angazhimin. Ky është vetëm fillimi, është vetëm grupi i parë i dallëndysheve që lajmërojnë këtë pranverë të gjuhës shqipe në Greqi, sigurisht që ne e kemi mësuar shumë nga i gjithë ky proces. E dimë që nuk është thjesht çështja e identifikimit dhe regjistrimit të mësuesve dhe pagës së mësuesve nga shteti shqiptar, por ka edhe ca elementë të tjerë që duhen marrë parasysh. Do i bëjmë në bashkëpunim të ngushtë me ju, ambicia jonë është që këtë numër ta rrisin në mënyrë të ndjeshme, të arrijmë në një nivel që të mos kemi më zonë të pambuluar që nuk ka mundësi të mësojë gjuhën shqipe. U shpërblye një mund jo i vogël i shumë prej jush, që këtë punë e kanë nisur prej shumë kohësh”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe tek raportet me Greqinë, për të cilat tha se janë në një moment më të mirë se sa kanë qenë, por duke theksuar se duhet të jenë akoma më të mira.

“Sot jemi në pozicion tjetër dhe më vjen mirë që edhe marrëdhëniet me qeverinë këtu janë në një moment shumë më të mirë se sa ishin, duhet të jenë akoma më të mira, do bëjmë çmos që të jenë më të mira. Na është hapur një dritare e madhe mundësie që të jemi pjesë e BE. Aty do kalojmë si popull, shtet, komunitet, si shoqëri shqiptare në një nivel tjetër. Ndjenja e barazisë nuk do jetë thjesht burim i vetëdijes se sa shumë gjëra kemi arritur të ndryshojmë për veten, por do jetë edhe e vulosur zyrtarisht, të qenit anëtarë të barabartë të BE. Duke qenë se bashku me Greqinë në të njëjtën tryezë si ta barabartë, do jemi dhe më të fortë si lagje këtu e Ballkanit dhe do mund të bëjmë gjëra ende më të mira se çdo mund të bënim nëse s’do kishim këtë status të ri.

Sa i takon programit të nisur në Greqi me mësuesit shqiptarë, Rama tha se synojnë që të arrijnë në një nivel që mos të ketë më zona të pambuluara që nuk ka mundësi të mësojë gjuhën shqipe.