Një ditë pasi Sali Berisha i siguroi me vende në listat e mbyllura, klani i tij u zhduk nga Kuvendi duke lënë bosh karriget. Njëri pas tjetrit, të përjashtuarit e PD nga listat e hapura ose ata që nuk i përfshinë fare si Dashnor Sula, i shfaqën në Kuvend duke shprehur hapur rezervat e tyre.

Jorida Tabaku dhe Dhurata Çupi të lëna jashtë listës së sigurt nga Sali Berisha u shfaqën në parlament me mesazhin, se betejën e tyre nuk do ta lënë në mes, ndonëse nuk e fshehën zhgënjimin. Edhe pse mori 651 vota në Primaret e Tiranës, Tabaku mbeti në listën e hapur, ndërsa tha se e meritonte një vend në listën e mbyllur. Asgjë nuk ka ma kanë falur në PD, thotë Tabaku, me shpresën se në zgjedhjet e 11 majit do ta fitojë edhe betejën e hapur për Tiranën.

“A mendoj unë se e meritoja të isha në listën e mbyllur me shumë modesti them se e meritoja. Se besoj se jam figurë përfaqësuese e qytetit të Tiranës. Por çfarë mendoj për këtë? Ju e dini unë ju njoh të gjithëve dhe ju më njihni që unë me këtë mënyrën time, kështu ngadalë, pa të bërtitura i kam fituar të gjitha beteja e mija në Partinë Demokratike. I ka fituar të gjitha betejat e mija në parlament dhe do ta fitojë dhe këtë betejë”, tha Tabaku për gazetarët.

“Të fitojë Partia Demokratike, të fitojë opozita. Është për vendin, për demokratët, për qytetarët. Unë edhe në 2021, pothuajse kam qenë në listë të hapur, kam qenë e treta në qarkun Dibër, kam bërë betejë elektorale, edhe në Primare jam votuar dhe kam besimin e qytetarëve. Patjetër që do të fitoj. Dua të fitoj programi i opozitës”.-tha Çupi.

Me këto lëvizje të Berishës, zhbëhet procesi i primareve, duke lënë jashtë listave më të votuarit, si Dash Sula me 550 vota, i pari i primareve në Qarkun e Elbasanit, por tashmë iu bashkua Adriatik Lapajt. I pakënaqur me përjashtimin, Sula tha se Berisha ka shkelur hapur votën e primareve. Për këtë, tradhtarët i sheh te Flamur Noka e Albana Vokshi.

“Zoti Berisha nis të gjithë aksionin e tij në atë kohë në foltoren e famshme me moton, çdo individ politik dhe vota do të jetë e para në Partinë Demokratike, fatkeqësisht u shkel me të dyja duart. Unë nuk mund të lejoj, po përdor këtë termin, të përdhunohem kam sakrifikuar për atë parti jetën, familjen time dhe jam i vetmi person që skam përfituar kurrë dhe nuk kam marrë kurrë ofiqe”, tha Sula.

Berisha bashkë me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, i famshmi Flamur Noka , e famshme Albana Vokshi të cilët fatkeqësisht sot Partia Demokratike ka rënë sot në dorë të këtyre dy figurave të cilat janë, nuk do thosha të urryera por të padëshiruara nga dëmokratët, por të urryera nga qytetarët shqiptarë.”-vijoi Sula

Jashtë listave ka mbetur edhe Ferdinand Xhaferaj, i cili nuk u bë fare pjesë e primareve që i konsideronte një farsë.

“Është një koalicion me 3 burra shteti. Me Kujtim Gjuzin, Selami Jenishehrin dhe Sali Berishën do e bëjmë Shqipërinë madhështore. Kjo treshe po e tmerron Edi Ramën dhe mazhorancën. Ky është një koalicion me 3 burra shteti”, tha Xhaferaj.

Një thirrje surprizë e pati nga oborri i parlamentit edhe Monika Kryemadhi, e cila ndonëse në proces divorci me Ilir Metën, kërkoi votën për ish bashkëshortin që nga burgu synon të jetë më i votuari i Tiranës nën koalicionin me Berishën.

“Më 11 maj do të votoj për kandidaturën e Ilir Metës”.

I vetmi i lumtur në oborrin e parlamentit, në të cilin u shfaq vetëm për pak çaste dhe jo për të qëndruar në seancë plenare ishte Lulzim Basha i cili dha këtë koment për listat e kandidatëve për deputetë: “Të dëshpëruarve u bëj thirrje se kanë Demokratët Euroatlantikë, të na votojnë ne. Kemi listën më të mirë.”