Ligji për SPAK dhe GJKKO do të gjykohet të enjten e 27 marsit në Gjykatën Kushtetuese. Në shqyrtim është kërkesa për interpretimin nëse është apo jo Kushtetues pika 5 e nenit 6 të ligjit që formon një të ashtuquajtur “Komision i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve për të t’u bërë anëtarë të SPAK dhe GJKKO”. Ish-prokurori Eugen Beci i ftuar në Report Tv komenton këtë çështje që tashmë do të shqyrtohet nga Kushtetuesja, pas kërkesës së gjyqtarit Gerd Hoxha, i cili u ‘dogj’ nga ky Komision pas një fotoje me Erion Veliajn në një aktivitet publik te ambasada britanike.
Një rreth vicioz e quan Beci këtë situatë, ndërsa i ftuar në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ sqaron se ky komision i SPAK kalon në filtër kandidatët edhe përse kanë kaluar vettingun, si në rastin e kandidatëve për prokurorë të posaçëm, por edhe kandidatët për gjyqtarë të posaçëm. Beci shprehet se ky është një paradoks që duhet zgjidhur nga Kushtetuesja, duke ngritur pyetjen se kush janë organet që duhet të kualifikojnë kandidatët KLGJ dhe KLP, apo komisioni i brendshëm që ngre SPAK në bazë të ligjit.
“Piramida e gjithçkaje është KLGJ. Me udhëzime të brendshme dhe ligj të posaçëm që ka SPAK, ngrihet brenda strukturës një komision që duhet të rivlerësojë ato çka KLGJ ka kaluar. Bëhet një rreth vicioz që duket sikur gjithçka mbetet në topin e komisionit të Prokurorisë së Posaçme për të caktuar se kush do jetë prokuror i SPAK apo gjyqtar i posaçëm. Tavani edhe ai ka bërë një sistem ankesash në gjykatë administrative në Gjykatë të Apelit. KLP dhe KLGJ janë organet që duhet të kualifikojnë gjyqtarë dhe prokurorë apo do i japin një rëndësi komisionit të brendshëm që ngre SPAK në bazë të ligjit. Është paradoks, që Hoxha me shumë të drejtë kërkon ta zgjidhë në Kushtetuese. Përfundimisht të tregojë në Shqipëri, qeverisja kryesore e gjyqësorit është KLGJ dhe qeverisja kryesore e prokurorisë është KLP. Në rast se do ikim nga ky kriter, kemi një problem të brendshëm, se edhe vetë duke e parë në koncept, psh a përbën shkak ti japësh dorën një kryetari bashkie dhe a quhet konflikt apo blerje e politikës ndaj sistemit të drejtësisë”, tha Beci.
Beci shprehet se KLGJ dhe KLP duhet të jenë autoriteti i vetëm që duhet të vendosin për të kaluar ose jo kandidatët. Ish-prokurori thekson se Kushtetuesja duhet ta sqarojë, a është fuqi plotë një komision ad hoc brenda SPAK, apo vendimmarrja e KLGJ dhe KLP që është pjesë e kushtetutës.
“Ti si prokuror i SPAK do zgjedhë kush do vijë tek ti, tregon se sistemi i filtrave është jo i qartë dhe i përmbysur. KLGJ dhe KLP duhet të jenë autoriteti i vetëm që duhet të vendosin. Duhet të zgjedhin ekipin. Si mund të ndodhë që një kandidat për GJKKO, kalon të gjithë filtrat e KLGJ, çohet komisioni brenda SPAK dhe thotë jo ti KLGJ vërtetë e ke e kualifikuar, por unë mendoj se duhet të skualifikohet për shkak të një fotoje. Ky është një paradoks, e njëjta gjë edhe për SPAK. Pyetja e thjeshtë që ngrihet është pse është ndërtuar KLGJ dhe KLP. Mos ço më kritere atje, të mos angazhohen dhe të thonë që vendos SPAK mbi KLGJ dhe KLP dhe të kandidojnë njerëzit direkt në SPAK e GJKKO. Është një përmbysje që cenon sigurinë juridike qoftë edhe të kandidatëve. Kushtetuesja duhet ta sqarojë, a është fuqi plotë një komision ad hoc brenda SPAK, apo një komision i ngritur nga KLGJ dhe KLP që është pjesë e kushtetutës”, vijoi Beci.
Ish-prokurori shprehet se këto janë problemet që po nxjerr reforma në drejtësi pas 7 vitesh funksionim.
“Këta gjyqtarë dhe prokurorë që u emëruan në detyrë pa kaluar në filtrin e këtij komisioni, pse duhet të jenë në detyrë dhe pse nuk kanë të njëjtin atribut si kandidatët e rinj që vijnë. Bërthama e parë q u krijua nuk kaloi në këtë filtrin e çuditshëm. Këtu kthehemi tek problemet që sjell reforma, pas 7 vitesh në ndërtim e këtyre institucioneve, kemi vetëm burokraci dhe aspak zhdërvjelltësi të sistemit të drejtësisë. Pse duhet për një foto, dikush të skualifikohet nga një e drejtë që e ka marrë në bazë të kritereve të përcaktuara paraprakisht”, theksoi Beci.
Por, si mund të zgjidhet kjo situatë? Sipas Becit, komisioni i SPAK nuk duhet të ketë vulën përfundimtare, por një bashkëpunim mes tyre për të vendosur filtra para vendimmarrjes përfundimtare.
“Do ishte më e saktë që ky komisioni i SPAK të mos vendosë vulën pasi vendos KLGJ dhe KLP, por të marrë bashkëpunimin me KLGJ dhe KLP edhe ti skualifikojnë kandidatët para se të vendosë KLGJ dhe KLP. Derisa janë në majë të piramidës, vendimmarrja e tyre është e padiskutueshme nga çdo komision. Filtrat mund t’i vendosësh para vendimmarrjes së tyre, jo pas vendimmarrjes së tyre”, tha Beci.
Një komision me 5 anëtarë, 4 që vijnë nga Prokuroria e Posaçme dhe vetëm një gjyqtar mund të skualifikojë nga gara pas një verifikimi që nuk certifikohet në asnjë gjykatë, jo vetëm kandidatët për t’u bërë prokurorë të posaçëm por edhe gjyqtarët e GJKKO, tek të cilët do të çojnë më pas dosjet. Ligji e thotë qartë që kandidatët duhet të kalojnë këtë filtër të kësaj ‘super strukture’ të SPAK që më pas të merren në shqyrtim nga KLGJ apo KLP sipas rastit.
Skualifikimi nga gara për gjyqtar të Posaçëm i Gerd Hoxhës do të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese më 27 mars, dhe do të jetë gjykata më e lartë në vend e cila do t’i japë një përgjigje përfundimtare çështjes, e cila pritet me interes të madh, sidomos në një kohë kur diskutime për SPAK dhe kompetencat e tij janë më aktuale se asnjë herë më parë.