Investimet greke në Shqipëri po vërshojnë në sektorin e turizmit. Investitorët grekë i kanë dhënë një hov industrisë së jahteve dhe kroçereve në jugun e vendit, ndërsa në eventin më të madh të biznesit “Match Maker Albania”, u shprehën optimistë për të vijuar investimet në projekte të tjera në të ardhmen.
Për Diogenis Venetopoulos, Shqipëria është një vend shumë tërheqës për të investuar, duke marrë parasysh pozicionin strategjik dhe bregdetet e bukura, por edhe klimën e favorshme të biznesit.
“Tashmë kemi hapur një kompani këtu në Tiranë, për të rritur aktivitetin e jahteve, kroçereve, por edhe turizmin tokësor në Shqipëri. Unë shoh një vend shumë miqësor për të bërë biznes, një vend të hapur për të bërë biznes dhe jam shumë i kënaqur me gjithçka që kam parë deri tani. Unë jam edhe në Bordin Drejtues të Shoqatës së Pronarëve të Kroçereve dhe po nxis shumë linja kroçeresh, linja të tjera lundrimi, që të investojnë në Shqipëri, pra në pjesën bregdetare”, tha ai.
Drejtuesi i Departamentit të Ekonomisë dhe Tregtisë në Ambasadën greke, Marios Belibasakis u shpreh se ndërtimi dhe energjia, janë dy sektorë të tjerë ku përqendrohen investimet nga Greqia:
“Shqipëria është një treg shumë i mirë dhe ka shumë mundësi për investitorët grekë në sektorët e energjisë, ndërtimit, materialeve të ndërtimit, turizmit dhe shumë e shumë fusha të tjera. E dini, ne jemi vende fqinje, kemi shumë gjëra, agroturizmin, sektorin ushqimor, shumë fusha që mund të punojmë së bashku dhe të krijojmë mundësi për popujt e të dy vendeve”.
Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit që lamë pas, fluksi i investimeve nga Greqia kapi vlerën e 15 milionë eurove.