Qytetarët kanë vlerësuar si një mrekulli hapjen e tunelit të Murrizit, vepra më e rëndësishme e Rrugës së Arbrit që shkurton kohën e lëvizjes nga Tirana në Dibër me gati 3 orë.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku përcolli sot zërin e qytetarëve që kaluan përmes tij në orët e para të hapjes.

“Tuneli i Murrizit, vepra më komplekse e Rrugës së Arbrit, prej ditës së djeshme është një realitet që hap një faqe të re për të gjithë Shqipërinë”, u shpreh ajo.

Banorët thonë se hapja e tunelit plotësoi ëndrrën shekullore të dibranëve.

“Një mrekulli, na ndihmon në maksimum. Distanca drejt Burrelit shkurtohet në 50 minuta maksimumi. Po ashtu edhe Peshkopia e Bulqiza. Shkurton 6 orë rrugë“, thonë banorët.

Të tjerë qytetarë iu bashkuan festimeve nga qytete të ndryshme.

“Vij nga Vlora për të festuar në Dibër”, tha një qytetar.

Një tjetër qytetar vlerësoi rëndësinë që ka kjo rrugë.

“I kemi vënë emrin Rruga e Arbrit, pasi është rruga e të gjithë shqiptarëve, lidh Tiranën me Dibrën, Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë, shqiptarët me fqinjtë në Ballkan”, tha një tjetër qytetar.