Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi dje kreun e qeverisë, Edi Ramën dhe familjarët e tij se kanë grabitur prona në jug të vendit. Sipas Berishës, përmes falsifikimeve janë marrë 24 hektarë në Vuno, tokë e cila ishte pjesë e pronës së Kishës Ortodokse. Ndër të tjera në fjalën e tij, Berisha akuzoi edhe drejtorin e Akivave, tashmë kandidatin për deputet të PS-së në qarkun e Vlorës, Ardit Bido. Sipas kryedemokratit, Bido ka gjetur një dëshmi pronësie, e cila është përdorur si provë për pronësinë e tokës së marrë.
“Rikthehemi sot te një nga plaçkitjet më të mëdha që pati pasoja ndër më seriozet kombëtare dhe ndërkombëtare. Plaçkitja që Edi Rama me emrin e mamasë së tij dhe vëllait të tij, në bashkëpunim me kushërinjtë e tij, i kanë bërë shtetit dhe kishës ortodokse shqiptare, duke i habitur 224 mijë metër katrorë tokë nga më të çmuarat. Historiku i Edi Ramës, një hajn i papërmbajtur gjithë jetën e tij, shtrihet edhe në shumë e shumë dekada, periudha që ai akoma nuk kishte lindur fare. Për dijeni, xhinsi nga nëna i Edi Ramës, siç e dini është nga fshati Vuno dhe ai ka qenë një xhins i varfër. Sipas dokumenteve, stërgjyshi i tij, Thomai ka pasur si gjë të gjallë 3-4 dhi dhe një apo dy derra. Një personalitet i tyre i shkolluar, që ishte Spiro Koleka, anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i disa qeverive të Enver Hoxhës, në kujtimet e tij, të publikuara nga e bija, rrëzon në mënyrë përfundimtare çdo disponim pronësie nga xhinsi Koleka, krahu i Thomait e këtej. Territoret ku pretendohet janë territore publike ose territore të kishës. Ky i është vërsulur si një hajn i papërmbajtur pronave të kishës. Në dosjen e tij ka falsifikime të paimagjinueshme. Ka shqyrtime dhe vendime jashtë çdo afati ligjor dhe antiligjore. Ka ndryshime datash që vetëm falsifikatorët që i kanë bërë, e dinë. Vendime gjykatash që janë të vitit 2003 dhe paraqiten si të vitit 2013. Nuk mund ta marrë vesh kush se çfarë qëndron aty sepse dosja është e kyçur në sirtarin personal të Sokol Sadushit. Cili është roli i Ardit Bidos, është jashtëzakonisht suspekt? Nuk ekziston asnjë dokument kadastral që të faktojë se kjo tokë i përkiste Thoma Kolekës, Petro Kolekës, stërgjyshit dhe gjyshit direkt të Edi Ramës. Asnjë! Ka një dëshmi të periudhës kur aty luftohej, se Vunoi ka qenë shesh luftimesh të egra mes ushtrisë greke dhe asaj italiane. E çuditshme është se si në atë periudhë, në kulmin e luftës, Bido gjen një dëshmi pronësie, e cila nuk përbën asnjë lloj kategorie ligjore. E cila nuk tregon asgjë se çfarë thotë ajo dëshmi. Një gjë është e sigurt se ajo dëshmi kurrë nuk mund të provojë pronën e askujt, aq më tepër që është në kohën e një lufte të egër, kur dëshmitë përdoreshin sipas qejfit. Unë e përgëzoj dhe e falënderoj shumë zotin Maho për këtë investigim që ka bërë. Natyrisht siç e dini vetë ju, mburoja e tij është Skapi i partisë dhe Sadushi i partisë që nuk nxjerr dosjen për të parë të gjithë veprimtarinë dhe falsifikimet që ka bërë familja e afërt me Ramën,”-tha Berisha në një konferencë me gazetarët.
Përgjigjen e ka marrë sot nga kandidati për deputet. Pas akuzave të Berishës, me një video, Bido shprehet se dokumenti për të cilin flet Berisha, është mikrofilmuar që në vitin 2001, kohë kur kryeministër i vendit ishte Ilir Meta dhe shumë kohë përpara se Bido të merrte detyrën e drejtorit të Arkivave. Ndaj edhe i kërkon që të verifikojë informacionin që ka marrë, për të mos dalë sërish blof si në këtë rast.
“Doktor, mos dil më blof! Kur i përket aleancës së antishqiptarisë madhështore, del blof siç doli Berisha dje, i frymëzuar nga Beleri pardje, duke u zënë mat në mashtrimin e tij ndaj meje, se e dinë që i zë halli i madh kur të më kenë përballë në Kuvendin e shqiptarëve përballë aleancës së antishqiptarisë madhështore. Pas Fredi Belerit, që bëri shoë në Tiranë me skenarin e zakonshëm të viktimës imagjinare, ishte radha e doktor Berishës që të përpiqej të krijonte një tjetër tymnajë, duke thënë se unë “paskam gjetur”, domethënë paskam futur në Arkiv një dokument për familjen Koleka.
Fakti është i thjeshtë: ai dokument është mikrofilmuar që në vitin 2001, në kohën kur aleanca e sotshme e antishqiptarisë madhështore drejtonte qeverinë e vendit përmes Kryeministrit të asaj kohe. Pra, dokumenti ekzistonte dhe gjendej në Arkiv shumë kohë përpara se unë të merrja këtë detyrë. Kur ke këshilltar Fredi Belerin në aleancën e antishqiptarisë madhështore, nuk është çudi që bën blofe të tilla. Por ty doktor, që ke qenë gjatë gjithë jetës i kujdesshëm për imazhin tënd, nuk të shkon! Mos dil më blof,”-sqaron Bido nga ana e tij.
Ndërkohë që edhe nga ana e kryeministrit Edi Rama ka pasur një reagim. Kryeministri Edi Rama ka ironizuar kryedemokratin Sali Berisha pasi ky i fundit e akuzoi se ka vjedhur pronat e kishës, duke shpërndarë një tjetër video me “bufa”. Teksa videos i është montuar audio e akuzave të Berishës, Rama shkruan: Përçartje madhështore fare…!