Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu iu shmang sërish seancës gjyqësore për masakrën e Gërdecit, duke nxjerrë si argument vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa mungoi në sallën e gjyqit në GJKKO një ditë më parë, Mediu ka publikuar një video nga SHBA me këshilltarin e PD-së për fushatën zgjedhore, Chris LaCivita.

“Jam rrugës për në Shqipëri. Mezi pres të kthehem. Shqipëria Madhështore sërish”, shprehet LaCivita në videon e postuar nga Mediu.

E njëjta video është ndarë edhe nga kreu i PD, Sali Berisha, i cili shkruan se “Po vjen sherifi”. Por në fakt, LaCivita është zhdukur nga ‘skena’ që prej prezantimit të tij për herë të parë më 10 shkurt si këshilltar i PD për zgjedhjet. Vetë Berisha ka pranuar se kontaktet me të i mban vetëm online, duke thënë se LaCivita nuk është oficer lufte.