Pas dy orësh diskutimesh ka përfunduar samiti i lidërve të BE-së për Kievin në Londër.

Ukraina do të marrë 1,6 mld paund ndihmë tjetër ekonomike për blerjen e 5 mijë raketave me qëllim mbrojtjen ajrore të vendit, përveç 2,2 mld paund që ishin dhënë kredi më parë. Gjithashtu u ra dakord t’i bëhej presion ekonomik Rusisë dhe që Kievi të ishte i pranishëm në tryezën e bisedimeve të paqes për të.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen u shpreh se duhet urgjentisht “të riarmatosim Europën” dhe komisioni do të propozojë një plan për këtë në Këshillin Europian më 6 mars.

Udhëheqësit europianë po përballen me “një moment unik për sigurinë e Evropës”, tha kryeministri britanik Keir Starmer në hapjen e samitit në Lancaster House, teksa shtoi se një rezultat i mirë paqeje për Ukrainën do të ishte gjithashtu jetik për sigurinë e kombeve në të gjithë kontinentin.

Pas përfundimit të bisedimeve, Starmer do të mbajë një konferencë për shtyp, ndërsa Zelensky do të takohet me Mbretin Charles III ashtu edhe siç u informua edhe dje.

Disa nga liderët që morën pjesë në këtë samit ishin: Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, kryeministri polak Donald Tusk, kryeministri i Suedisë Ulf Kristersson, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri norvegjez Jonas Støre, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, kryeministri çek Petr Fiala,kryeministri kanadez Justin Trudeau, ai i Danimarkës Mette Frederiksen, kancelari gjerman në largim Olaf Scholz.

Kryeministri britanik mirëpriti Zelenskyn dje në zyrën e tij dhe pas takimit u njoftua për një hua në vlerë prej 2.84 miliardë dollarësh për Ukrainën.

“Kjo hua do të rrisë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës dhe do të rikthehet duke përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira ruse”, deklaroi Zelensky përmes rrjeteve sociale.

Konferenca në Londër tani ka marrë një rëndësi të re që nga ky konfrontim në Zyrën Ovale dhe ringjallja e raportit mes Trumpit dhe Zelenskyt me gjasë do të jetë pikë kryesore e agjendës.

Mark Rutte, tha se Zelensky duhet të gjejë një mënyrë për të përmirësuar raportin. Ende është e paqartë se diçka e tillë është e mundur të arrihet. Por, Trump deklaroi se Zelensky mund të kthehej “kur të dëshirojë paqe”.

Edhe para vizitës së Zelenskyt në Uashington, udhëheqësit europianë kanë treguar se ka urgjencë që ata ta bëjnë veten të rëndësishëm për administratën e Trumpit.

Kjo u nxit nga deklaratat e zyrtarëve të lartë amerikanë që sugjeruan se Evropa nuk do të përfshihet drejtpërdrejtë në negociatat për paqe në Ukrainë dhe për shkak të shenjave se SHBA-ja dhe Rusia po përmirësojnë raportet.

Bisedimet e tjera paraprake të krizës janë mbajtur në Paris javën e kaluar dhe ato u përqendruan në atë nëse Europa mund të krijojë një forcë paqeruajtëse që do të dislokohej në Ukrainë pas një marrëveshjeje armëpushimi apo të paqes, por edhe për arritjen e synimeve për të rritur shpenzimet për mbrojtjen.

Sfida e bisedimeve në Londër, pas debatit në Shtëpinë e Bardhë, është që të arrihet diçka më e prekshme dhe më e madhe. Përveç kësaj, disa udhëheqës evropianë po shkojnë përtej asaj që vetëm të dëshmojnë vlerën e tyre për Uashingtonin. Në vend të kësaj, ata po përgatiten për skenarë të mundshme ku nuk do të mund të vareshin nga ombrella e sigurisë së SHBA-së.