Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike kishte vënë datën 13 mars si afatin fundor që kompanitë e internetit të merrnin masat e nevojshme për bllokimin e aksesit në TikTok, por platforma sociale duket se ende nuk është mbyllur plotësisht.
TikTok vijon ende të jetë i hapur në Shqipëri, ndërsa janë të dallueshme vështirësitë në përdorim, si shenja që bllokimi është në proces.
Report TV pyeti ne AKCESK mbi vijimin e procedurave dhe Autoriteti tha se tashmë ka nisur faza fillestare dhe i gjithë procesi do të kërkojë deri në 10 ditë pasi duhen më shumë veprime. Autoritetet duhet të bëjnë gjithashtu procedurat përkatëse me kompanitë Apple, PlayStore etj që të hiqet platforma nga celularët.
Vendimin për ta mbyllur TikTok për 1.5 milion përdorues shqiptarë, qeveria mori pasi u konsultua me 65 mijë prindër dhe mësues, si masë për sigurinë e fëmijëve në këtë platformë. Më 15 mars, Sali Berisha ka thirrur një protestë kundër këtij vendimi, të cilin e quan censurë ndaj fjalës së lirë, ndërsa në një sondazh të Report Tv me prestigjiozen Piepoli vetëm 23% e shqiptarëve ishin kundër vendimit të qeverisë.
Tik Tok pritet të rihapet sërish në momentin e parë që kompania do të garantojë filtra për të mbrojtur të rinjtë nga videot me mesazhe dhune. Kjo lëvizje erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani me thikë nga një bashkëmoshatar i tyre, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale.