Kryeministri Edi Rama, në takimin me emigrantët në Kretë, tha se më 11 Maj duhet të vishen të gjithë kuqezi për Shqipërinë në BE.
Kreu i qeverisë tha se shqiptarët duhet t’i përcjellin BE-së dhe anëtarëve të unionit, përfshirë edhe Greqinë, se duam që të jemi të barabartë dhe të respektuar brenda Unionit. Rama e mbyllin fjalën e tij me një falënderim në greqisht.
“E kemi bërë Evropën të na respektojë dhe vlerësojë. Ne bëmë të mundur që Shqipëria të bëhet e madhe sa Evropa dhe Evropa të bëhet e vogël sa Shqipëria. Kur iu thotë ndonjëri, se jam i bindur, diku nëpër cepat e rrugëve i keni edhe ju ata të kënetës, që notojnë nëpër portalet e kënetës, dhe iu thonë mirë se ça është kjo histori dhe 12 vjet Rama nuk e futi Shqipërinë në Evropë dhe tani i duhen 4 vjet, për pushtetin e vet, duhet t’u thoni se Shqipëria i ka filluar negociatat vjet, dhe kemi dakordësuar që t’i mbyllim brenda 2027 ndërkohë që Mali i Zi i ka filluar në 2012 para se të vija në qeveri, Maqedonia e Veriut është bërë kandidate për BE në 2005 dhe sot e nisëm duke i parë nga mbrapa, tani na shohin ata ne nga mbrapa. Prandaj atyre të kënetës që iu dalin nëpër cepa të lagur edhe të turbulluar jepuni një peshqir, thajani flokët, jepuni dorën dhe ngrohuni zemrën dhe thoni që ta braktisin bufin dhe kënetën, ta braktisin për një moment në histori fanellën partiake dhe të vishen të gjithë kuqezi në 11 Maj.
Në 1992, ka plot njerëz që nuk janë më e PD, dhe në 92 kanë votuar për PD, jo se iu pëlqente bufi kur ishte i ri, por sepse në atë moment në histori ishte forca e duhur në kohën dhe vendin e duhur. E njëjta gjë është në 11 Maj. Nuk ka nevojë të bëhesh socialist për të votuar skuadrën tonë, por për t’u bërë një shumicë më e fortë si asnjëherë jo thjesht për të na dhënë ne fitoren se ne për të fituar me kënetën fitojmë edhe pa bërë fushatë fare, por për t’i thënë Evropës dhe 27 vendeve anëtare, edhe qeverisë në Greqi se shqiptarët duan të jenë pjesë e pandarë, e barabartë, dinjitoze dhe e respektuar në BE. Efkaristo! Rroftë Shqipëria dhe Greqia”, tha Rama.