Ministrja Bora Muzhaqi e ftuar në podcastin e Kryeministrit Rama u ndal tek platforma ‘Deputeti që Duam’, nga e cila PS ka zgjedhur disa figura të reja politike për ekipin garues të 11 majit. Janë 35 emra të përzgjedhur nga ‘Deputeti që Duam’ dhe Akademia Politike e PS dhe 7 prej tyre do dalin deputetë në zgjedhjet e 11 majit, pasi ndodhen në listat e mbyllura.

Të njëjtën iniciativë, Rama tha se mund ta shtrojnë edhe për përzgjedhjen e kandidaturave për kryetar Bashkish apo këshilltarë bashkiakë.

Bora Muzhaqi: Ka qenë nder të isha personi që përkujdesesha për platformën bashkë me një ekip. Ndryshimet që i bëmë platformës, duke nisur nga aplikimi, më serioz, me të gjatë, vendosëm kritere që ti mund të kishe një aplikim të mbyllur për dikë që ishte në mëdyshje. Gjëja tjetër që ndryshuam ishte që herën e parë i mbajtën videot e mbyllura, nuk patën mundësinë të bënim fushatë. Unë duke qenë vetë pjesë e platformës me mërziti fakti që unë kisha shumë pak kohë për të bërë fushatë. Menduam ti japim kandidatëve me shumë kohë të përgatiten. Nga korriku të gjithë kanë pasur mundësinë të aplikojnë. Aplikimet e plota kanë qenë rreth 500.

Edi Rama: Mendoj se duhet ta përdorim edhe në nivel vendor, kryetarët e bashkive, këshilltarët. Është prurje e demokracisë direkt, në formë të moderuar që na jep mundësinë të identifikojmë njerëz, që përndryshe mbeten në hije në shoqëri, por edhe për një arsye të thjeshtë që partia në territor më shumë se instinktin e hapjes ka instinktin e mbylljes. Me gjithë luftërat e bëra si duket ky është një problem organik i çdo partie politike.

Bora Muzhaqi: 1 nga 5 emrat që ne kemi nga PS, ka ardhur nga këto platforma. Njerëz që vijnë për të na treguar vetën e tyre, gjysma e tyre janë vajza dhe do të kemi 7 deputetë që vijnë nga këto dy iniciativa.