Në një takim me kandidatët për deputetë të PS në qarkun e Durrësit, kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësinë e fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, duke lidhur rezultatin me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Rama theksoi se për Shqipërinë, ky është një moment kyç, pasi mundësia e anëtarësimit mund të shuhet po të ketë lëkundje në vullnetin politik të popullit shqiptar.

Ai u shpreh se, edhe pse qasja e BE për zgjerimin është përmirësuar, asgjë nuk është e sigurt dhe derën e mundshme për anëtarësim mund ta shohim të mbyllet sërish duke marrë në konsideratë faktorë të jashtëm.

“Siç ka ndryshuar pozitivisht qasja e BE për zgjerimin mund të ndryshojë edhe negativisht. Ata mund të fillojnë sërish atë historinë “business as usual”. Në këtë moment dera është e hapur dhe ne duhet të shpejtojmë për t’u futur para se të mbyllet prapë. Ne nuk e dimë si do jetë impakti i mbylljes së luftës në Ukrainë. Ne jemi forca e vetme sot që mund ta çojë përpara këtë proces. Mund të ketë 1000 gjëra që mund të mos i pëlqehen, por kjo parti është në vendin dhe kohën e duhur dhe nuk lëviz dot. Ka rëndësi a shprehet vullneti i popullit në mënyrë të fuqishme apo krijohet një lëkundje. Një lëkundje na prish gjithë procesin e negociatave. Shpresa ime është që në 12 dhe 13 maj do të bëjmë numërimin e votave dhe ata që merren me negociatat me BE nuk do të kenë asnjë lloj shqetësimi”, tha Rama.