Një grup parlamentar të rinovuar. Ashtu siç kishte premtuar Partia Socialiste vjen me një listë kandidatësh të rinj, kryesisht në listën e mbyllur, me senatorët që do të përballen në atë të hapur. PS i publikoi përmes daljeve në selinë rozë të 186 emrave për kandidatë në 12 qarqet e vendit, njëri pas tjetrit.
Qarku i Tiranës i cili do të prodhojë 37 deputetë për Kuvendin e ardhshëm Partia Socialiste vjen me kryesocialistin Rama në krye dhe menjëherë pas tij 2 drejtueset politike Ogerta Manastirliu dhe Elisa Spiropali. E treta ish kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, e ndjekur nga drejtuesi politik për diasporën Taulant Balla. 4 ministra të kabinetit aktual janë në listën e mbyllur të Tiranës Adea Pirdeni, Albana Koçiu, Igli Hasani dhe Delina Ibrahimaj, ndërsa spikatin Ilva Gjuzi, Iris Luarasi dhe Erjon Malaj, djali i ambasadorit Petrit Malaj.
Sa i përket listës së hapur të kryeqytetit, mes 37 emrave dallohen deputetët senatorë Arben Pëllumbi, Blerina Gjylameti, Erion Braçe, Ermonela Felaj, Fatmir Xhafaj, Klotilda Bushka, Mimi Kodheli, Olta Xhacka, Pandeli Majko, Toni Gogu të cilët përveccse votës për PS në fushatë do ta duhet ta kërkojnë edhe për vetën që të mund të prevalojnë mbi kolegët socialistë. Në listën e hapur të Tiranës dallon mes emrave edhe ish numri 2 i partisë së Metës, Endrit Braimllari.
13 drejtues qarqesh Taulant Balla i diasporës dhe Kryeministri Rama që do të drejtojë listën e kryeqytetit, janë në listë të mbyllur, ndërsa nga garda e vjetër vetëm 5 gra deputete janë mbyllur në listë të sigurt. Plot 24 deputetë aktualë nuk janë përfshirë fare në lista, edhe mes tyre emra të njohur si Nasip Naço, Petro Koçi, Lavdrim Krashi apo edhe Paulin Stërkaj në Shkodër.
Sa i përket 11 qarqeve të tjera, përveç krerëve politikë, numri i kandidatëve që dominon, sidomos në listat e mbyllura janë ata që vijnë nga platforma deputeti që duam.
Durrësi është qarku që pas Tiranës do të konfirmojë në Kuvendin e ardhshëm më së shumti deputetë aktualë pasi gratë Klodiana Spahiu Milva Ekonomi dhe Aurora Mara janë në listën e mbyllur.
Në Dibër përveçse drejtuesit, Blendi Klosi, në listën e mbyllur është emri i Alma Selamit, aktualisht kryetare e këshillit të qarkut. Dallon në listën e hapur kryebashkiaku i dorëhequr i Matit Agron Malaj.
Në Berat lista kryesohet nga tashmë ish kryebashkiaku Ervin Demo, i ndjekur në listën e mbyllur nga mjekja Enriketa Jaho.
Në Gjirokastër dhe Kukës në listat e mbyllura janë vetëm krerët e qarqeve, Mirela Kumbaro dhe Eduard Shalsi, me qarkun e skajit jugor që në listë të hapur ka edhe ish kryebashkiakun e Tepelenës Tërmet Peçi dhe në Kukës dallon i ardhuri nga Partia Demokratike, ish deputeti Alban Zeneli.
Në Lezhë kryeson Ulsi Manja, me një të ardhur nga “deputeti që duam” Ermal Pacajn që mbyll listën e sigurt me 2 deputetë, ndërsa në listën e hapur dallon djali i ish deputetit të ndjerë Gjovalin Kadeli, Admir Kadeli.
Në Korçë ku socialistët thonë se synojnë 7 mandate, pas Niko Peleshit si drejtues politik shkon kandidate në listë të mbyllur drejtuesja aktuale e Këshillit Bashkiak Tiranë, Romina Kuko. Në listë të hapur është i vetmi jo socialist i listës kreu i aleancës maqedonase Vasil Sterjovski, i cili në limite braktisi aleancën me Berishën.
Qarkun e Shkodrës, më i rëndësishmi në veri të vendit, ku socialistët duan të përsëritin rezultat shumë të mirë, e kryeson një emër surprizë. Marjana Koçeku, e njohur nga shqiptarët si ‘Neomalësorja’ një sipërmarrëse shumë e famshme në fushën e agroturizmit. Në listën e mbyllur është edhe Xhenis Çelaj, vajza e deputetit të deritanishëm që iu bashkua socialistëve nga Partia e Lirisë, Agron Çela, i cili së bashku me Paulin Stërkajn nuk do të jenë më mes ligjvënësve të ardhshëm.
Në Qarkun e Vlorës nuk ka surpriza, ku mes 4 deputetëve të listës së sigurt është edhe ministri i Mbrojtjes, Piro Vëngu, ndërsa në listë të hapur dallon Damian Gjiknuri dhe drejtori aktual i Arkivave në Tiranë, Ardit Bido.
Në Qarkun e Fierit kryeson Belinda Balluku si drejtuese politike, ndërsa emrat e tjerë të listës së mbyllur janë të rinj, ku dallon ministri Petrit Malaj.
Në Elbasan Arbjan Mazniku ndiqet nga ministrja Bora Muzhaqi, ndërsa mes listës së mbyllur është edhe deputetja Evis Kushi.
Nga 186 kandidate, kryeministri Rama ka kandiduar 69 gra, mes te cilave 21 ne liste të sigurt, ndërkohë që pothuajse i gjithë kabineti qeveritar është në lista.