Nga Lezha, kreu i Partisë Socialiste u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë në 11 maj për PS, duke siguruar sipas tij anëtarësimin në BE.

Rama tha se PS është e vetmja forcë politike që ka krijuar skuadër fituese, teksa tha se kanë bërë bashkë frymën e rinisë dhe energjisë, dhe eksperiencën e figurave të vjetra politike.

Edhe këtë herë, batutat ia drejtoi Ulsi Manjës, drejtuesit të qarkut politik të Lezhës.

“Jam i sigurt që po ta heq Ulsiun, grupi duket më i bukur, kshu si pamje mezi shifet ky, por i heq eksperiencën grupit të punës. Ne nuk mundemi dot, është gjynah me ia kërku atyre të na mundin”, tha Rama.

Një koment e kishte edhe për partitë e reja të krijuara, ku u ndal se kërkesa e KQZ për verifikimin e 17 emrave që garojnë në lista, për pastërtinë e figurës.

“Po ça të reja, 17 ishin për dekriminalizim, unë nuk mendoj se ata janë bashkëpunëtor të krimit, por mbush me njerëz problematik listat. Ata s’e kanë dit, ata janë parti që merr babën, nonën, mbarojnë kushërinjtë dhe kap knej kap anej dhe u dalin kukumjaçka që i kemi heq me duart tona”, u shpreh ai.

Numri një i partisë socialiste edhe një herë u ndal te puna e SPAK, ku tha se e kanë mbështetur prej fillimit pa kushte.

“Ne e kemi mbështet pa kushte SPAK! Altin Dumani nuk lindi këto tre vite, nga Shupenza ku ka lindur, ka bërë shkollën në Shqipëri ka hyrë në sistemin e drejtësisë shumë vite më parë… e kishin dëgju ndonjëherë ju, që thirri këtë thirri atë po hetohet ky po hetohet ai? Nuk ka pas. Janë fut në burg ministra, por me urdhër, sot është krejt diçka tjetër”, tha ai.