Juristi Ylli Manjani ka shpjeguar përse nuk do të votojë më 11 maj. Ndërsa votën thotë se nuk do ia japë maxhorancës, ndalet gjatë për të argumentuar pse vota e tij nuk do të jetë për opozitën.

“Për takëmin e ca “inbox-ëve” që jetojnë jashtë e më pyesin ç’ndodhi dhe pse s’e votoj opozitën?

Edhe njëherë e kam stërthënë, nuk do votoj fare, jo s’do votoj opozitën. Opozita s’ka pse e merr personale. Nuk votoj sepse nuk ja vlen ta harxhoj votën time në asgjënë politike.

Kam menduar e shpresuar për një Shqipëri krejt tjetër. Kjo Shqipëri nuk duket në horizont as pas këtyre votimeve.

Sa i takon opozitës, i kam dhënë mbështetje në një kohë kur pak, shumë pakkush i jepte. E kam bërë për princip, jo për përfitim. Aq më pak për detyrim siç e mendoni shumë prej Jush që e keni trurin o me ne, o kundra.

Meqë ra fjala nuk e kam hiç problem të jem edhe kundra jush nëse doni.

Por ka një moment kur njeriu vlerëson veten duke bërë pyetjen: a ja vlen të bëhesh makinë llogaritëse e votave të Mulit fjala vjen?!

Pse duhet të transformoj mendimin tim krejt sovran e të lirë për shkak se PD-së SPAK i duket tmerr e diktaturë deri në orën 11:00 kur shkon Saliu atje dhe, në orën 11:01 bëhet engjëll kur nxjerr përgjimet e radhës për konsum mishi njeriu.

Ndjesë por mendoj se vota ime vlen më shumë duke mos e përdorur në këtë rast.

Juve u priftë e mbara, por kam vendosur ta shoh edhe unë Shqipërinë ku jetoj si turist. Natyrisht të rrojë dhe SPAK se na sjell punë!

Bye”, shkruan Manjani.