Në një kohë kur qeveria ka vendosur mbylljen e TikTok me qëllim mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve, Sali Berisha vijon me qëndrimet e tij qesharake. Në një intervistë që ka dhënë me gazetarin Burim Pacolli në TikTok, Berisha thotë se platforma TikTok është më komodja për të rinjtë, kur ndërkohë ky rrjet njihet për rreziqet që sjell për të rinjtë, ku nuk përjashtohen edhe përmbajtje bullizuese apo dhune.
“Edi Rama nuk duron kritikat e tij që i bëjnë në Tiktok dhe merr të njëjtin akt dhe shumë më të rëndë sepse dënon, bllokon një platformë që sot, sidomos për të rinjtë por për të gjithë, është nga më komodet për komunikim. Nga ana tjetër, TikTok përbën edhe mjet biznesi. Pra është ky së fundmi, ku e bazon Edi Rama vendimin e tij”, tha Berisha.
Ndërkohë, edhe pse 90% e prindrëve që luftojnë për edukimin e fëmijëve kanë qenë pro mbylljes së platformës, Berisha thotë se kjo është censurë dhe se Rama po kërkon të kontrollojë të rinjtë se çfarë duhet të shohin dhe çfarë jo.
Burim Pacolli: Një nga arsyet është se mosha rinore ka akses në përmbajtje të pakontrolluar?
Sali Berisha: Atëherë ai barazon veten me Habitullahun e Kabulit dhe Ajatollahun e Iranit. Nëse ai kërkon t’i kontrollojë moshës se çfarë duhet të shohin e çka jo, kjo përbën një nga format më të egra të censurës.
Edi Rama e ka bazuar vendimin e tij në një mashtrim publik për të cilin meriton ndjekje të rreptë penale. Edi Rama u tha shqiptarëve se vrasja e Martin Canit, erdhi nga TikToku. Nxënësi 15 vjeçar që u vra në dyert e shkollës dhe agresori i tij, nuk kishin llogari në TikTok. Pra zënka që çoi në ngjarjen tragjike nuk kishte asnjë lidhje me TikTokun.
Edi Rama kryen një mashtrim tjetër se thotë 98% e 60 e sa mijë prindërve të konsultuar, janë pro mbylljes, gënjeshtër e kulluar. Absolutisht e pavërtetë.
Vendimi për mbylljen e TikTok pritet të futet në fuqi brenda pak ditësh me efekt 1-vjeçar. Por, qeveria është në bisedime me kompaninë kineze dhe platforma mund të hapet në momentin që vendosen filterat për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga përmbajtjet me mesazhe dhune apo bullizimi.
Ndërkohë sot, nxënësit nuk i janë bashkuar thirrjes së kreut të PD-së, Sali Berisha për të bojkotuar mësimin si shenjë revolte për mbylljen e TikTok. Thirrja e Berishës ishte në limitet e absurdit referuar faktit që mbyllja e TikTok me vendim qeverie u bë me kërkese të vetë prindërve, të cilët luftën e përditshme me fëmijët, e kanë për edukimin e tyre dhe largimin nga rrjetet sociale.