Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë bashkëbisedimit me operatorët turistikë në Vlorë dhe me kryetarët e bashkive të bregdetit, se qeveria po synon një formalizim të sektorit të turizmit, për shkak se ka një “hile” të madhe në deklarimin e netqëndrimeve gjatë sezonit turistik.

“Ka një shifër që thotë se nga 10 milionë e 155 mijë turistë që e kanë vizituar Shqipërinë në 2023, tre milionë e 900 mijë net kanë qenë të deklaruara. Janë pak si problem. E kemi studiuar me ekspertizë të huaj, këtë vit do t’ju japim mundësinë që të bëni një paradeklarim, 1 maj-30 shtator nëse nuk doni as kontrolle dhe të fokusoheni te klientët dhe jo tek inspektorët, një nivel shfrytëzimi 65% në bazë të dhomave dhe për atë nivel do të paguani detyrimin te bashkia. Niveli është më i lartë, por duam ta nisim nga ky, sepse na intereson formalizimi i sektorit. Pastaj, nga 1 tetori deri 1 prill një nivel 20%. Prapë ju do dilni me një fitim ekstra, përtej atij që ju takon.

Përgatituni sepse në 2026-ën, nuk do të keni nga të lëvizni më, sepse do fusim platformën digjitale e-Visitors dhe aty nuk do bëni asnjë shmangie sa i takon strukturave hoteliere”, tha Rama.

Kryeministri Rama iu referua modelit të bashkisë së Lezhës nën drejtimin e Pjerin Ndreut, sa i takon mirëmenaxhimit të plazheve publike dhe strukturave pritave hoteliere. “Një nga pikat më të nxehta të marrëdhënieve me qytetarët gjatë sezonit është stresi i krijuar nga xhungla e çadrave dhe shezlongëve dhe pavarësisht se çfarë është bërë vitet e fundit për t’i disiplinuar, vitin e kaluar kemi konstatuar që ishin ende shumë në anën e privatit, dhe për këtë arsye edhe në bashkëpunim me kryetarët e bashkive dhe Pjerin Ndreun e bashkisë Lezhë, që ka krijuar në bregdetin e Lezhës një model shumë të suksesshëm edhe për shkak të background-it që ka si polic që nuk rri dot pa kontrolluar çdo mizë që fluturon. Kemi ndërtuar një plan të ri me një ndarje shumë më të qartë dhe me një balancë shumë më të arsyeshme mes plazheve të menaxhuara nga privati dhe plazhet publike që do menaxhohen nga bashkitë”, pohoi Rama.

“Të ndërtohet një sistem bashkiak i administrimit ku bashkia jo thjesht të ruajë, por të zhvillojë një sipërmarrje bashkiake që po e bën edhe Himara, që të gjitha bashkitë të kenë ofertën e tyre paralele me ofertën e operatorëve privatë dhe t’i ofrojë qytetarëve shezlonge me çmime shumë më të ulëta. Kuptohet edhe me një gamë shërbimi më modeste, sepse nuk do ndërtojnë bashkitë edhe beach bare për plazhet publike që shumëkush i kërkon të lira me hapësira ku ka disa që thonë që ne duam thjesht të shkojmë si më përpara po harrojnë që dikur nuk ka qenë dielli dhe nxehtësia kaq e madhe”, shtoi Kryeministri.

Kryeministri shprehu edhe faktin që operatorët turistikë kërkojnë shumë, teksa bëri edhe një batutë me tramin e supozuar që do të ndërtohej nga Lulzim Basha në Tiranë.

“Duhet të biem dakord që kërkoni sa më shumë, për tramin në Vlorë do na duhej Luli. E ka bërë një në Tiranë, siç e kanë parë qytetarët është shumë i suksesshëm me një shpejtësi marramendëse, e kishte planin që ta çonte deri në Durrës po për shkak se e zuri gjumi e la vetëm në Tiranë. Shpresoj që mos të arrihet për shkak të tramit, që të çohet Vlora në këmbë dhe të thotë duam Lulin kryetar bashkie”, pohoi Rama.

Kryeministri Rama theksoi në fjalën e tij se ka një “hile” të madhe në deklarimin e netqëndrimeve në strukturat hotelerie, krahasuar me numrin total të turistëve që kanë vizituar vendin tonë.

“Duhet të jemi shumë të vërtetë që ka një hile të madhe që e bëni të tërë ju, një hile me deklarimin e netëve të fjetjes. Dhe ne për t’ju dhënë mundësi juve që të dilni faqebardhë nga kjo fazë informaliteti, kemi ulur TVSH-në ndërkohë që 6% nuk e ka asnjë vend në Mesdhe, jua kemi ulur që të deklaroni netët e fjetjes”, vijoi Rama.