Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë sot do të zhvillohet ceremonia e fronëzimit të Kryepeshkopit të ri të Shqipërisë, Joan Pelushi. Kjo ngjarje do të shënojë për herë të parë uljen e një kryepeshkopi shqiptar në fronin më të lartë kishtar.
Ceremonia do të ndiqet nga përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar dhe atij grek, si dhe delegacione nga 13 Kishat Ortodokse të botës. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe kryeministri Edi Rama do të jenë të pranishëm, ndërsa është ftuar edhe kreu i opozitës, Sali Berisha. Nga ana tjetër mësohet se Greqia do të përfaqësohet nga ministrja për Edukimin dhe Fenë.
Ndërkohë në ceremoni pritet që fjalën ta mbajë vetëm presidenti Bajram Begaj, ndërsa në emër të Sinodit të Shenjtë do të përshëndesë Mitropoliti i Apolonisë, Hirësia e tij, Nikolla. Fjalimi kryesor i ceremonisë do të jetë ai i Kryepeshkopit Joan, i cili më pas do të ulet për herë të parë në fronin kryepeshkopal.
Të dielën, Kryepeshkopi i ri do të mbajë shërbesën e tij të parë si kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ndërkohë që pritet të emërojë pasardhësin e tij në Mitropolinë e Korçës.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, ka ftuar të gjithë besimtarët të marrin pjesë në Ceremoninë e Fronësimit të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Joanit. Me anë të një postimi në “Facebook”, bëhet me dije se ceremonia do të zhvillohet ditën e shtunë në orën 11:00 në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”.