Gjykata e Posaçme ka pushuar këtë të mërkurë çështjen e kryebashkiakut të Libohovës, Leonard Hide, i cili ishte marrë i pandehur nga SPAK, për shpërdorim detyre. Bëhet me dije se çështja u pushua me argumentin se nuk është vërtetuar se është kryer vepra penale nga ana e kryebashkiakut.
Hide akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për shpërdorim detyre pasi, në vitin 2021 kur ai mbante detyrën e Shefit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës, nuk ka ndjekur me hetime rastet e kultivimit të kanabisit në zonat Panjë dhe Zhulat.
Bashkë me Hidën, në dosjen e SPAK rezultojnë të përfshirë dhe zyrtarë të tjerë policie, që dyshohet se përmes rryshfetit kanë favorizuar kultivimin e kanabisit. Hide mori mandatin e kryetarit të Bashkisë së Libohovës në zgjedhjet e 14 majit 2023 nën siglën e Partisë Socialiste.