Një tragjedi e rëndë në Maqedoninë e Veriut, ku 51 të rinj kanë humbur jetën si pasojë e flakëve që kanë përfshirë një lokal nate. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të 16 marsit, në një klubin e natës “Koçani Puls” dhe si pasojë e flakëve mbi 100 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Në diskotekë ishin rreth 1500 të rinj, duke ndjekur një performance nga bendi maqedonas DNA, një grup i famshëm vendas.
Mediat vendase raportojnë se shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë lëndët piroteknike që janë përdorur brenda në ambientet e lokalit gjatë festës. Gjithsesi rrethanat nuk janë ende të qarta, por Prokuroria e Koçanit ka njoftuar se disa persona që kanë organizuar festën janë vënë në pranga.
Autoritetet ende nuk kanë treguar se si është përhapur zjarri. Në kohën e shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, klubi ka qenë i mbushur me njerëz. Të plagosurit janë dërguar në spitalet në Shtip, Koçan dhe Shkup.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, vizitoi të plagosurit dhe shprehu keqardhjen e thellë për humbjen e jetëve të shumë të rinjve. Ajo shtoi se autoritetet shëndetësore nga Serbia dhe Bullgaria kanë ofruar asistencë për të ndihmuar në përballimin e pasojave të kësaj tragjedie.
Këtë mëngjes, shumë njerëz janë parë përpara klubit që u përfshi nga flakët në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, meqë nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.
“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.
Drejtori i Qendrës për Menaxhim të Krizave, Stojançe Angellov ka bërë të ditur se është në Koçan, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Pançe Toshkovski dhe Drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.