Shkak për zjarrin që u shkaktua në disko klubin në Koçani, janë fishekzjarrët, sipas informacioneve të para të prokurorisë. Kjo u bë e ditur nga prokurori publik i Maqedonisë së Veriut, Ljubço Koçevski, pas hetimeve paraprake të bëra në këtë klub.

Koçevski nuk dha më tepër detaje lidhur me këtë rast, me arsyetimin se, në vendngjarje ende po vazhdon hetimi.

“Shkaqet tek tani do të përcaktohen, tani për tani vetëm mund të themi se po ndërmerren veprime në bazë të shkaqeve të zjarrit. Informacionet e para janë ato, por për momentin nuk mund të themi asgjë duke pasur parasysh se po kryhen hetime në vendngjarje”, tha Ljubço Kocevski.

Mediat vendase raportojnë se prokurori tha se po punohet në drejtim të ngritjes së urdhrave të të ndalimit për personat e mundshëm përgjegjës për shkaktimin e zjarrit.

Prokurori Kocevski ka shtuar se brenda pak orësh do të dihen personat që ndaj të cilëve do të ketë urdhëresë për sigurimin e tyre.

“Për momentin ende po lëshohen urdhëresa si në aspektin e ndërmarrjes së ekspertizave ashtu edhe në ndërmarrjen e veprimeve dhe grumbullimin e dëshmive. Për momentin nuk mund t’ju themi asgjë sepse kjo është pjesë e prokurorëve publik.

Prokuroria për momentin nuk ka informacione të tilla se sa persona kanë qenë, sa ka qenë kapaciteti etj. Sapo të përfundojë hetimi dhe të jepen urdhrat e nevojshëm, do të dëshmojnë personat që mund të jenë të akuzuarit potencial etj”, shtoi Ljubço Kocevski.