Pas rreth 1 muaji izolim prej datës 10 shkurt kur u arrestua në zyrë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të paraqitet sot në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, ku në orën 10:00 do të shqyrtohet ankimi i masës arrest me burg.

Seanca në Apelin e Posaçëm do të drejtohet nga gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili njihet si gjyqtari që dënoi me burg ish-ministrin Saimir Tahiri, pasi gjyqtarja Ilirjana Olldashi ndodhet me raport për shkak të problemeve shëndetësore.

Ashtu siç nga qelia e ka kritikuar masën shtrënguese të arrestit në burg, Veliaj tha dje se do të kërkojë lirinë, me argumentin se nuk ka shanse të prishë provat, apo të largohet nga vendit.

Masën e kanë ankimuar edhe 4 nga 6 biznesmenët e akuzuar për korrupsion në këtë çështje. Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula janë kundër masës “detyrim paraqitje”, ndërsa biznedmeni Elman Abdule, i cili është i arrestuar, kërkon një masë më të butë se paraburgimi. Edhe për ta kërkesat pritet të shqyrtohen në seancën e 11 marsit bashkë me kryebashkiakun Veliaj. Biznesmenët Sokol Kryeziu dhe Fatmir Bektashi nuk kanë ankimuar vendimin e Gjyktës së Posaçme “detyrim paraqitje”.

Kryebashkiaku Veliaj akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila po hetohet në masë detyrim paraqitje, edhe për mosdeklarim pasurie.