Kryeministri shqiptar Edi Rama, teksa foli të shtunën (29 mars) për sektorin e Mbrojtjes, prezantoi projektet ushtarake për të ardhmen e Shqipërisë, rritjen e buxhetit, investimeve dhe përforcimin e armatës.

Mes tyre ishte edhe marrja e një anijeje ushtarake.

“Flota detare e Republikës së Shqipërisë, siç thashë do të ketë një super anije së shpejti dhe do të bëhet me tre anije luftarake të reja”, tha kreu i qeverisë.

Tani mësohet se kjo anije do të jetë e tipit korvetë, “Cassiopea”, e marinës ushtarake italiane. Në proces është edhe dorëzimi i saj, që pritet në ditët në vijim.

Kjo markë anijeje luftarake janë të pajisur ushtarakisht dhe me detyra kryesisht në mbrojtje dhe mbikëqyrje detare. Parashikohet që kjo anije, pas një servisi dhe remonti të përgjithshëm, do të jetë aktive për shërbim deri në 15 vitet e ardhshme.

Armatimi kryesor i anijeve të këtij klasi është një armë e vetme Oto-Melara 76/62 Allargato, me sisteme të kontrollit të armëve dhe zjarrit që përdoren nga fregatat e çmontuara të klasit Rizzo/Bergamini.

Anijet kanë kuvertë fluturimi dhe hangar për të akomoduar një helikopter. Dorëzimi i anijes do të bëhet me një ceremoni, ku pritet të marrë pjesë edhe ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto.

Korveta pritet të dorëzohet nën shoqërinë e krenarisë së marinës italiane, ‘Amerigo Vespucci’.

“Klasi Cassiopea’ është një seri prej katër anijesh patrullimi të marinës ushtarake italiane. Ato u ndërtuan në fund të viteve 1980 dhe janë të dizajnuara për patrullim në zona të sigurta. Në fillim të viteve 1980, marina italiane zhvilloi dhe dy klasa korvetash, për të zëvendësuar anijet e vjetra, tip “Albatros”.