Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkoi Prokurorisë të hetojë 16 kandidatë për deputetë, për të cilët ka dyshime se mund të kenë probleme me dekriminalizimin. Formularët e parë nga Report TV, konfirmojnë se shumica prej tyre janë dëbuar për emigrim të paligjshëm, por nuk mungojnë rastet e vjedhjeve dhe evazionit fiskal.
16 kandidatë të partive të reja dhe të vogla, rezultuan të dyshimtë në të shkuarën e tyre dhe u dërguan nga KQZ për verifikim pranë Prokurorisë së Përgjithshme në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.
4 kandidatë janë nga Shqipëria Bëhet, 4 të tjerë nga Partia Social Demokrate, 2 nga Partia Mundësia, një nga partia e Bashës, e një tjetër nga e Arlind Qorit. Ata nuk u skualifikuan nga kandidimi dhe emri i tyre do të jetë në fletë votimi, deri në përgjigjen e prokurorisë, i cili zakonisht ka marrë muaj apo vite.
Personat në fjalë kishin deklaruar në formularët e dekriminalizimit, dëbime nga shtete të caktuara, dënime për vepra penale apo edhe ndryshime emri apo mbiemri.
Lista e kandidatëve të dërguar për verifikim:
Shqipëria Bëhet
Entela Sula, Tiranë (Dëbuar nga Franca në vitin 1999, refuzuar kërkesa për rezidencë.)
Erjon Selmani, Lezhë (Në pritje të gjykimit në Itali për evazion fiskal, nisur në vitin 2021).
Euglen Gjini, Fier (Dëbuar nga Gjermania në vitin 2022).l
Gazmir Memaj, Shkodër (Dëbuar nga Serbia më 22 janar 2025).
Partia Socialdemokrate
Florjan Tomçini, Dibër
Klaudio Zotaj, Vlorë (Dëbuar nga Norvegjia në vitin 2018 për tejkalim të ditëve të qëndrimit).
Kreshnik Gjonaj, Lezhë
Lisman Pellumaj, Shkodër (Hetuar në Gjermani për vjedhje viti 2015, shpallur i pafajshëm.)
“Djathtas Për Zhvillim”
Arjel Rragami, Shkodër (Gjobitur në dhjetor 2024 në Gjermani për largim nga vendi i aksidentit).
“Koalicioni Euroatlantik”
Desard Muzhaqi, Elbasan (Dënuar me 60 ditë burg në Greqi, viti 2010 për lejë qëndrimi të parregullt, përdorim edhe i emrit tjetër Avdulla Muzhaqi).
Partia Lëvizja Bashkë
Dritan Tafhasaj, Kukës (I dyshuar për vjedhje nga Gjykata e Prizërenit në vitin 2023, deklaron se ka qenë keqkuptim e nuk është proceduar. Dënuar me 2 muaj burgim në Kukës në vitin 2014 për drejtim të parregullt të mjetit.)
Partia “Mundësia”
Adela Qemali, Tiranë (Dëbim nga Franca më vitin 2020, për shkelje të rregullave për azil).
Altin Muceku, Tiranë (Dëbuar në vitin 2018 nga Franca dhe në vitin 2019 nga Austria për emigracion të paligjshëm).
“Aleanca Demokracia e Re”
Gramos Ismailaj, Vlorë
Geront Stefo, Korçë
“Aleanca Kombëtare Shqiptare”
Ndriçim Kamberaj, Vlorë (Dëbuar nga Franca në vitin 2023, qëndrim mbi 3 muaj)./Shqiptarja, Esiona Konomi