Kreu i LZHK Dashamir Shehi foli në edicionin e lajmeve në Mcn Tv mbi zgjedhjet e 11 majit, në një ditë kur “Djathtas për Zhvillim” prezantoi kandidatët për deputetë.

Shehi tha se objektivi është që të dilet nga zgjedhjet me një grup parlamentar. Shehi theksoi se nëse “Djathtas për Zhvillim” do të ketë një grup parlamentar mund të kondicionojë edhe qeverinë e re, që ai uron të jetë e opozitës

Ai mohoi kategorikisht që mund t’i bashkojnë votat me PS-në pas zgjedhjeve, ndërsa u shpreh i gatshëm për t’i bashkuar votat me PD-në, por pa Berishën.

“Të dalim nga zgjedhjet me një grup parlamentar, ky është objektivi ynë dhe besoj se do t’ia mbërrijmë, është plotësisht e mundur. Pastaj nëse kemi një grup parlamentar do kondicionojë qeverinë e re, urojmë që të jetë e opozitës. S’heqim dorë nga ndryshimet kushtetuese, ndryshimi i ligjit zgjedhor, ribalancim i pushteteve dhe zhvillim ekonomik. Edhe partitë e vogla parti shqiptare janë, s’janë daneze, suedeze.

Ka prej tyre që kanë motivet e veta. Disa grupet e reja mendojnë që ne jemi të vjetër dhe numërimi nis nga zero. Dikush thotë që jemi anti-sistem. Ka pika që na bashkojnë dhe pika që na ndajnë. U munduam shumë s’ia mbërritëm. Do ishte fitore e madhe. Por gjykojë se janë forca progresiste, do kontribuojnë për ta ndryshuar hartën politike.

Jam i bindur që pas 11 majit do kemi një rrugëtim të ri në politikën shqiptare, s’mund të vazhdojë më kjo barbaria mes dy personave, që i ka lodhur njerëzit. Uroj të vijë opozita në pushtet, për Berishën s’kam ndonjë hall të madh, se ka qenë disa herë në pushtet.

Më mirë se Rama mund të ketë qenë, por gjykojmë se duhet të shkojmë përpara, jo të kthehemi prapa. Ne pretendojmë që kemi ofruar diçka të re, të ndryshme, njerëz serioz, pa asnjë problem, me kontribut politik. Fatkeqësisht në dy dekadat e fundit Parlamenti është kthyer në një Dhomë biznesi, mjafton të shikoni listat”.

I pyetur a do t’i bashkonit votat me PD-në pas zgjedhjeve, Shehi tha:

“Me PD-në do t’i bashkonim votat, me Berishën jo. Brenda PD-së ka me mijëra djem dhe vajza që duan ta ndryshojnë Shqipërinë”.